Ministri përgjegjës për koordinimin gjatë pandemisë së koronavirusit, Arben Ahmetaj, ka sqaruar për Tv  Klan se kufizimi i lëvizjes dhe aktivitetit tregtar deri në orën 13:00 është vetëm për disa kategori biznesi. Shumë të tjerë lejohet të punojnë normalisht edhe pas orës 13.00.

Arben Ahmetaj: Për të sqaruar më tej, për ata që prodhojnë, për ata që punojnë online, për ata që bëjnë import, për ata që shpërndajnë ushqime, për ata që bëjnë eksport gjithashtu, ata mund të vazhdojnë normalisht punën e tyre gjithmonë duke zbatuar distancat sanitare, masat sanitare, në favor të ruajtjes së shëndetit dhe të jetës.

Z.Ahmetaj, edhe pas orës 13:00 mund të punojnë?

Arben Ahmetaj: Mund të punojnë normalisht përtej orës 13:00 të gjitha aktivitetet e lejuara. Deri në orën 13:00 janë qytetarët dhe tashmë me sistemin e ri me SMS ose nëpërmjet faqes së e-Albania vetëm një person nga familja dhe pensionistët janë të ndaluar të dalin nga shtëpia. Ndërsa përsa i përket gjithë aktiviteteve të lejuara mund të vazhdojnë të punojnë, janë të lejuar të vazhdojnë të punojnë përtej orës 13:00 në bazë të Kodit të Punës duke zbatuar me rigorozitet distancat sanitare. Ndërtimi mund të vazhdojë.

Z.Ahmetaj, po pse policia po i ndalon pikërisht këto persona të cilët janë pjesë e kategorisë që lejohet të punojnë. Kur kthehen nga puna ndalohen nga policia, pse?

Arben Ahmetaj: Ndalimi nga policia në këto raste mund të jetë një fenomen le të themi i izoluar dhe sporadik. Por, unë kam qenë në vazhdimësi në kontakt me Drejtorin e Policisë dhe policia për hir të së vërtetës dhe asaj që po ndodh në terren, po bën një punë të shkëlqyer. Patjetër diku-diku mund të ketë ndaluar edhe qytetarë që po kthehen nga puna, por në tërësi kjo që unë po ndaj me qytetarët është zbatuar, megjithatë, ne do të vazhdojmë komunikimin me Policinë e Shtetit për orë, përditë për të mos pasur asnjë problem. 

Kufizimi i qarkullimit është një moment i favorshëm për kompanitë që po ndërtojnë vepra publike. Ministri Ahmetaj thotë se ato mund të punojnë edhe me 3 turne.

Ministri Ahmetaj sqaroi se mbi 60 mijë të vetëpunësuar e të punësuar do të paguhen me page minimale gjatë periudhës së pandemisë, edhe pse nuk e ushtrojnë aktivitetin.

34 aktivitete ku bëjnë pjesë arsimi, qendrat tregtare, estetike, shitjet me shumicë e pakicë te veshjeve, janë të ndaluara pasi mund të kthehen në vatra infeksioni.

Tv Klan