Nuk e përshkruaj dot ndjesinë

Ditën e sotme në programin “Rudina”, në Tv Klan ishte akrobatja Fiona Rushiti. Ajo prej vitesh merret me sporte ekstreme dhe performon në lartësi mbi 100 metra. Pasioni për akrobacinë ka nisur që në moshë të vogël për të. Ishte vetëm 3 vjeç kur u bë pjesë e cirkut kombëtar, si akrobate në grupin e fëmijëve.

Ajo ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Sporteve në Tiranë dhe aktualisht ndjek studimet Master Shkencor. Fiona është bërë pjesë e shumë konkurseve, ku është vlerësuar me çmime të ndryshme, 2 medalje bronzi dhe një ari.

Prej shumë pak kohësh, Fiona ka sfiduar veten me lartësinë duke bërë akrobaci edhe në lartësi deri në 100 metra. Madje për programin “Rudina”, ajo ka realizuar një performancë akrobaci nga Liqeni i Bovillës, në lartësinë 100 metra.

Fiona në studio rrëfeu se është një adrenalinë e madhe në momentin që performon në lartësi të mëdha dhe nuk e përshkruan dot ndjesinë.

Fiona Rushiti: Në fakt kam parë se çfarë bëjnë vajzat jashtë shtetit dhe thashë pse mos dalë dhe një vajzë shqiptare të provojë të tilla sporte. Aty kam bërë zbritje nga lartësia.

Rudina Magjistari: Si shkoi këtë herë hedhja jote nga Bovilla dhe më përshkruaj çfarë ndjen që bën këto lloj performancash, që ushtron këtë lloj sporti?

Fiona Rushiti: Për mua është gjithçka që unë dua, është adrenalinë e paparë dhe unë do të vazhdoj ta bëj, nuk kam ndërmend ta ndërpres. Nuk e përshkruaja dot ndjesinë që kam kur performoj sidomos në të tilla lartësi.

Rudina Magjistari: Si ndihesh kur je ashtu lart, kur ti e sheh tokën shumë poshte teje?

Fiona Rushiti: Në fillim ndjeva pak frikë, por pastaj jo sepse kam djemtë që më kanë siguruar dhe më kanë trajnuar.

Rudina Magjistari: S’ka rrezik pra aty apo jo?

Fiona Rushiti: Normalisht që çunat më kontrollojnë, unë po të mos kem ata, diçka të tillë nuk do të merrja përsipër për ta bërë vetë./tvklan.al