25 nëntor 2026 – Ashtu sikurse e paralajmëroi ditën e djeshme, pasi u përjashtua nga grupi parlamentar i PS-së, Elisa Spiropali doli në një konferencë për mediat.

Duke mos zgjedhur “monolog”, për gati një orë ajo iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Deputetja, tashmë e pavarur, tha se është e gatshme të kandidojë për kryetare të partisë, përballë Edi Ramës, i cili prej vitesh mban stafetën e kryetarit.

“Unë nuk e di a më do, a nuk më do Edi Rama, por unë di vullnetin tim, di që më duan socialistët. Jam një e majtë dhe një progresiste e bindur. Nëse duan që të bëhet një garë popullariteti, unë kam një propozim: të hapet gara në PS pas 17 vitesh. Ne nuk kemi një kryetar të përjetshëm. Ata që kanë hequr statutin, flasin sot për statut. Këta njerëz pse janë larguar nga PS, kur janë të dinjitetshëm?! Dhe janë shumë. Le të ikin ata që kanë probleme, le të ikin. Sigurisht që nuk heq dorë nga mandati. Kam qenë drejtuese politike në Kukës, në Shkodër, ku është fituar për herë të parë nga PS”, u shpreh deputetja.

Gjatë fjalës së saj ajo shtoi se nuk ka për të hequr dorë nga beteja politike dhe hodhi poshtë çdo mundësi largimi nga PS. (Lexo më shumë)

“Unë jam një socialiste e bindur, jam një e majtë, por e konsideroj veten edhe një shqiptare të mirë e patriote të vendit. Nuk di që në detyrat e mia politike të kem bërë një turp. Betejën time do ta bëj. Dhe duhet të largohen ata që i kanë rënë Shqipërisë në qafë, duhet të mbajnë përgjegjësi ata që kanë mbajtur peng pushtetin. Sot deputetët e PS-së kanë frikë të pinë kafe me njëri-tjetrin. Unë nuk kam arsye që të largohem nga fronti. Ata që besojnë se PS-ja dhe e majta shqiptare i kanë rrënjët te Fan Noli.”

Sipas Spiropalit, Partia Socialiste ka arritur fundin, ku ripërsëriti tezën e saj për reformim tërësor të partisë, duke nisur nga anëtarët, strukturat, vendimmarrja dhe qeverisja. Nëse Rama nuk ngrihet në lartësinë e “standardeve evropiane dhe të demokracisë”, Spiropali tha se do të ishte më e denjë të largohej.

“Është domosdoshmëri të ndryshojë formën e qeverisjes ose të largohet. Të mos mbrojë të pambrojtshmit. Unë do të luftoj në Kuvendin e Shqipërisë dhe në PS, kudo, për të bashkuar ata njerëz që ndihen të papërfaqësuar nga PS-ja. Pavarësisht raportit personal, nuk hedh poshtë as veten time, as Ramën, por i them të ngrihet në lartësinë e kohës, jo të bjerë në situata të tilla që i bjerrin autoritetin dhe ia pamundësojnë qeverisjen.”

Ish-ministrja tha ndër të tjera se Rama për të ruajtur pushtetin sot, ka pamundësuar dhe garën elektorale me partitë e tjera. “Qeveria sot nuk po pamundëson rotacionin”, shtoi Spiropali ndërsa tha se PS është kundër listave të hapura pasi rrezikon të humbasë numrat.

Spiropali sqaroi aludimet se nuk asnjë ‘rivalitet’ me Ballukun, por se është kundër atij modeli pushteti që nuk njeh ligje. Sipas Spiropalit PS është kthye në një “bunker” që mbron të pambrojtshmen. (Lexo më shumë)

“Bela, Lali, Bela, Elisa. Vihen përballë njëri tjetrit në këtë model njerëz, për çfarë? Këtu nuk ka lidhje me emri, madje kam keqardhje për personin në fjalë që ma vini përballë sepse mendoni që ma vini xhelat, unë mendoj që është viktimë. Që nuk pyet për integritet, nuk ka kufij për mënyrën se si e ushtron legjitimitetin. Punët publike kanë ngelur rrugëve. Unë mendoj që pushteti korrupton absolutisht, pushteti absolut korrupton tërësisht dhe nuk ka përjashtime nga kjo, në asnjë vend të botës sepse natyra njerëzore është e tillë nëse s’ka fre, ligje e institucione nëse s’ka kufi. Nuk janë kumbullat, dardhat, mollët, është bahçja që kontaminohet dhe më pas, përgjegjësia. A duhet të mbajmë përgjegjësi? Patjetër!”

Duke u ndalur edhe te kallëzimet në SPAK ndaj familjarëve të saj, për evazion fiskal dhe fshehje të të ardhurave, Spiropali tha se janë intimidime e shantazhe që ajo nuk u trembet.

“Jo një kallëzim të ketë në SPAK, por sikur të gjithë ata të vihen në rresht, nuk e kam pikën e problemit. Unë kur e kam nisur këtë betejë, e kam pasur shumë të qartë se çfarë vjen. Kallëzimi është një gjë, le të bëjnë sa të duan, sepse nuk kam se çfarë të fsheh. Nuk jam unë e shantazhueshme, nuk më bëjnë dot shantazh. Unë kam folur vetëm për përdorimin e institucioneve në funksion të shtypjes së çdolloj zëri. Këtu ata që humbin treten, ikin nga vendi sepse nuk kanë më asnjë mundësi. Për këtë duhet të flasim. Kam edhe unë përgjegjësitë e mia. Në këtë fazë që jemi të integrimit në BE, kemi dy rrugë: ose do zgjedhim demokraci, ose autokraci. Kjo është mënyra. Gjithë tymnaja që është ngritur në publik për mua, nga një kallëzim anonim, mua nuk më prek fare. SPAK është një aset i çmuar i Shqipërisë, patjetër që duhet mbrojtur. Është një institucion që duhet ruajtur nga ndikimi politik.”

Spiropali përmendi edhe një herë kontributin e saj në PS, ku ka qenë drejtuese qarku në Shkodër, Kukës, apo kryetare e Kuvendit të Shqipërisë e deri te posti i Ministres së Jashtme.

“Le të ikin ata që kanë probleme, le të ikin. Sigurisht që nuk heq dorë nga mandati. Kam qenë drejtuese politike në Kukës, në Shkodër, ku është fituar për herë të parë nga PS… Unë jam një socialiste e bindur, jam një e majtë, por e konsideroj veten edhe një shqiptare të mirë e patriote të vendit. Nuk di që në detyrat e mia politike të kem bërë një turp. Betejën time do ta bëj. Dhe duhet të largohen ata që i kanë rënë Shqipërisë në qafë, duhet të mbajnë përgjegjësi ata që kanë mbajtur peng pushtetin.”

Duke iu rikthyer edhe një herë përjashtimit nga grupi parlamentar i SP, Spiropali e cilësoi atë si një “dekoratë”.

“E mbaj si dekoratë faktin që jam ndër të përjashtuarit e sistemit. Jo se nuk kam përgjegjësitë e mia. Kam edhe unë përgjegjësi në konsolidimin e karakterit të personalizuar ekstremisht të pushtetit dhe të partisë së njëriut. Dhe kjo shkon përtej emrit të Ramës dhe raportit personal. Është në themel të problematikës që nxori në rrugë ata që u quajtën “flamingo”. Ishte ajo nevojë e brendshme që liria dhe guximi të jenë më të fortë se çdo triumfalizëm.”


Deputetja Elisa Spiropali u përjashtua të martën, 24 nëntor, dhe nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke dalë kështu si deputete e pavarur.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, socialistët kanë votuar pro përjashtimit të Spiropalit. Të vetmit që kanë abstenuar janë deputetët Erion Braçe dhe Bledi Çuçi. Vetë Spiropali nuk ka qenë e pranishme në mbledhje dhe as kryesocialisti Edi Rama.

Nga Asambleja e PS-së e mbajtur më 14 nëntor, kryeministri dhe kryetari i partisë Edi Rama, e përjashtoi Spiropalin dhe ish-deputetin Plarent Ndreca nga të gjitha forumet drejtuese.