Gjykata e Lartë ka ndryshuar dënimin për Festim Bexhdilin, i shpallur fajtor për rolin e tij në zhdukjen e trupit të Jan Prengës, i cili u rrëmbye në janar të vitit 2020.

Nga burgimi i përjetshëm, që ishte dhënë nga dy shkallët më të ulëta të gjyqësorit, Bexhdili është dënuar përfundimisht me 25 vite burg. Vendimi është shpallur nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Genti Shala, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, Bexhdili shfaqej në pamjet filmike duke përgatitur veglat e punës që do të përdoreshin për të zhdukur trupin e Jan Prengës. Ai ishte kopshtar në kompleksin ku u dërgua Prenga, ku sipas akuzës u ndërmorën veprimet për të fshehur gjurmët e krimit dhe për të zhdukur kufomën e 49-vjeçarit, baba i katër fëmijëve.

Ngjarja e rëndë ndodhi në janar të vitit 2020. Jan Prenga u rrëmbye mesditën e 17 janarit, në zonën e Kamzës, nga disa persona që e morën me forcë dhe e futën në një automjet. Pamjet e kamerave të sigurisë, ku u filmua momenti i rrëmbimit, u bënë një prej provave kryesore të hetimit. Që prej asaj dite, trupi i tij nuk është gjetur.

Rrëmbimi dyshohet se lidhej me një konflikt të vëllait të tij me autorët e dyshuar, për një sasi droge të humbur në Britaninë e Madhe. Hetimet zbuluan një skenar të organizuar, ku disa persona dyshohet se kishin role të përcaktuara në rrëmbimin, transportimin dhe zhdukjen e Prengës.

Një pjesë e ngjarjes dyshohet se është zhvilluar në një kompleks në Shijak, ndërsa autoritetet kanë vijuar hetimet për të zbardhur plotësisht fatin e tij. Pavarësisht dënimeve të dhëna ndaj disa prej të përfshirëve, misteri se ku ndodhet trupi i Jan Prengës mbetet ende i pazbardhur.

Në këtë dosje, si i dyshuar për porositjen e rrëmbimit dhe vrasjes është identifikuar Dritan Rexhepi, i njohur edhe si Gramos Rexhepi. Ai u arrestua në Stamboll të Turqisë më 10 nëntor 2023 dhe, pas një procesi të gjatë për ekstradimin, u soll në Shqipëri më 8 janar 2025, për t’u përballur me akuzat e ngritura nga SPAK. Rexhepi i ka mohuar akuzat, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij vijon në GJKKO.