Një denoncim i ri është paraqitur në Prokurorinë e Romës nga Antonio La Piccirella, anëtar i “Global Sumud Flotilla”, ku ndër të tjera akuzohet për torturë nga autoritetet izraelite pas kapjes dhe transferimit të aktivistëve në portin e Ashdodit.

Në dokumentin e përgatitur nga avokati Flavio Rossi Albertini, përmenden fazat pas arrestimit. “Në port është kryer një shkelje e plotë e të drejtave të njeriut”, thuhet në dokument.

“Ushtarët e armatosur identifikuan aktivistët, rreth 300 persona, më pas i privuan nga të gjitha nevojat personale dhe i kontrolluan duke ushtruar dhunë fizike të panevojshme, për shkak të së cilës disa aktivistëve iu thye një krah”.

Në denoncimin prej 17 faqesh thuhet se “ushtarët lidhën aktivistët me pranga plastike shumë të ngushta pas shpinës dhe i detyruan të qëndronin të përkulur, me fytyrë në tokë,” pastaj i çuan “në një shesh ku bënte nxehtë” dhe “i detyruan ekuipazhet të rrinin në gjunjë me valixhet pas shpinës, duke i detyruar të shikonin gjithmonë poshtë, pa mundësi për të lëvizur ose folur, dhe godisnin në kokë ata që refuzonin”.

Në aktin e denoncimit bëhet edhe referencë për transferimin në qelitë ku u dhanë “ushqim i prishur” me “copëza metali në bukë.”

La Piccirella thotë se është çuar së bashku me 11 persona të tjerë në një dhomë ku kishte “vetëm gjashtë krevate.” “Gjatë natës së parë i është mohuar gjumi dhe i është nënshtruar praktikave të privimit”, tha avokati.

Rreth orës 3 të mëngjesit, La Piccirella është nxjerrë përsëri jashtë qelisë, ku një grua, që dyshohet të jetë zyrtare e Ambasadës Italiane, i ka propozuar prapë, në prani të zyrtarëve izraelitë, që nëse do të firmoste dokumentin e paraqitur në Zyrën e Imigracionit, do të kthehej në vendin e tij mëngjesin tjetër.

La Piccirella e ka refuzuar përsëri firmosjen e dokumentit “duke konsideruar se firma do të nënkuptonte një legjitimim të mëvonshëm të krimeve të rënda që ka pësuar, të kryera në ujëra ndërkombëtare, më saktë përballë bregut të Gazës, dhe jo në ato izraelite”.

Në denoncim, që plotëson një ankesë të paraqitur javët e fundit, La Piccirella kërkon nga prokurorët e Romës të hetojnë edhe “përgjegjësitë e mundshme të qeverisë italiane për shmangien e detyrimit ligjor për mbrojtjen e qytetarëve të saj, pasi tashmë në Tunizi dhe në jug të Kretës ishin kryer sulme me dronë, për shkak të të cilave qeveria kishte dërguar një fregatë për mbrojtje”, thuhet në dokument.

“Por pastaj, pa asnjë justifikim dhe pa arritur as pranë ujërave territoriale mbi të cilat Izraeli ushtron bllokadën në mënyrë të paligjshme, qeveria italiane nuk mbajti më përgjegjësi, duke lënë të kuptuar se Izraeli do të vepronte edhe pse anijet ishin 70-80 milje detare larg bregut”.

/tvklan.al