#AldoMorningShow Emision mëngjesi nga #AldonLipe në #TvKlan.

“Kam 17 vite që jetoj në azil”, telefonuesja: Nuk është zgjedhje, por zgjidhje

Stili i jetesës ka ndryshuar me ritme shumë të shpejta në të gjithë botën, të rinjtë shumicën e kohës janë të zënë me angazhime të tjera si puna dhe kujdesi për fëmijët, ndaj shumë të moshuarve një pjesë të pleqërisë së tyre e kalojnë në Shtëpinë e të Moshuarve.

Megjithëse bota po modernizohet gjithnjë e më shumë, gjithsesi qëndrimi në azil është një temë që prek opinionin publik. Në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, një telefonuese, e cila prej vitesh jeton në azil, tregon eksperiencën e saj.


Telefonuesja: Faleminderit për këtë teme. Unë kam shumë vite që jetoj këtu, por nuk e zgjedh njeri. Është një zgjidhje, jo zgjedhje. Po kur ishim ne që kishim fëmijë të vegjël i çonim në kopsht dhe në çerdhe dhe ne duhet të sakrifikojmë që fëmijët të punojnë, sepse po i rrit bota po punojnë për botën. Nuk është tabu!

Aldo: Sa kohë ke ti aty?

Telefonuesja: Kam 17 vite. Ne për “llaforogjira” jemi të vetmit, por jo, nuk është tabu. Jetohet, një njeri që di të jetojnë. Ka libra, lexoj, kemi bibliotekë. Por, fëmijët do të punojnë të rritin fëmijët siç i rritëm ne. Ne duhet të sakrifikojmë, siç i çuam ne në çerdhe, kur ata nuk donin dhe qanin ashtu duhet të sakrifikojmë ne që të punojnë, se punojnë shumë.

“S’duan të pengojnë fëmijët”, administratorja e azilit të të moshuarve: Ka disa që vijnë me dëshirë

Në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan mëngjesin e sotëm ishte e ftuar Daklea Shtylla Xinxo. Si administratore e një azili privat ajo rendit disa nga arsyet pse të rinjtë detyrohen që të çojnë në Shtëpinë e të Moshuarve prindërit e tyre.

Gjatë fjalës së saj ajo shtoi se në shoqërinë tonë, kjo vazhdon të mbetet ende një tabu dhe problematikë kulturore.


Aldo: Cilat janë arsyet më të zakonshme pse njerëzit vijnë në azil? Pse ka kaq konotacion të keq azili, duket si dënim për pleqtë, është e vërtetë?

Daklea Shtylla Xinxo: Ky është një nga problemet kulturore që ne përballemi çdo ditë dhe kjo është një nga problematikat kryesore të familjeve shqiptare, jo vetëm ne, por të gjitha vendet e Mesdheut dhe Europa Lindore mendojnë se kujdesi i të moshuarve duhet të realizohet në shtëpi.

Aldo: Dhe nuk thonë shkoi në azil, por përfundoi në azil.

Daklea Shtylla Xinxo: Po. Kjo ka të bëjë me përgjegjësitë që fëmijët e tyre për aq kohë sa ata janë kujdesur në gjithë jetën e tyre për t’u dhënë më të mirën, ata mendojnë se emocionalisht kjo gjë duhet t’u kthehet mbrapsht, reciproke.

Aldo: Pra problem nuk është azil, por mentaliteti.                                           

Daklea Shtylla Xinxo: Po. Ndjehen në vështirësi, ku për shumë arsye shërbimet e tyre nuk mund të realizohen dot në shtëpi sepse sot kohët kanë ndryshuar, ngarkesat e familjes janë të mëdha, fëmijët duhet të gjejnë një balancë midis punës dhe përgjegjësive. Ka shërbime që të moshuarit kërkojnë struktura të specializuara, të cilat nuk mund të realizohen nga familja dhe për këtë arsye ata u drejtohen strukturave të specializuara. Problemi është që duhet diskutuar në familje çdo vendimmarrje. Është shumë e rëndësishme që njerëzit, qoftë familjarët, qoftë të moshuarit të kuptojnë se zgjedhja e një shërbimi apo jetesa në një komunitet është një zgjidhje për të shmangur izolimin e tyre social, kështu që në të tilla situata ata duhet të gjejnë një zgjidhje për të mirën e tyre./tvklan.al