Nga një moment në tjetrin, kriza në Iran duket se po përshkallëzohet në mënyra gjithnjë e më të pasigurta për qeveritë, investitorët dhe qytetarët e zakonshëm. Shumëçka tani varet nga vendimet individuale të liderëve të paparashikueshëm, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, dhe ndoshta edhe udhëheqësin e ri dhe të paprovuar suprem të Iranit, Mojtaba Khamenein.

Të hënën, Trump dha sinjale të përziera, duke e quajtur luftën një “ndërhyrje afatshkurtër” që mund të përfundonte “së shpejti,” ndërsa gjithashtu tha se nuk duhet të përfundojë para se Irani “të mos ketë më asnjë kapacitet për një periudhë shumë të gjatë për të zhvilluar armë që mund të përdoren kundër SHBA-ve, Izraelit apo ndonjë aleati tonë.”

Pra, ku po shkon e gjitha kjo? Brenda Shtëpisë së Bardhë, gjatë një krize përdoren ekspertë nga e gjithë qeveria amerikane për të modeluar skenarët e mundshëm të përfundimit të një konflikti: një skenar bazë (më i mundshmi), një skenar më të mirin dhe një skenar më të keqin.

Ja si mund të duket kjo analizë, bazuar në informacion publik dhe raportimet.

Fushata ushtarake kërkon kohë

Në çdo skenar, fushata ushtarake do të kërkojë disa javë për t’u përfunduar. Objektivi ushtarak, sipas Pentagonit, është të dobësojë aftësinë e Iranit për të projektuar fuqi jashtë kufijve të tij.

Kjo nënkupton goditjen e:

–raketave të Iranit dhe fabrikave të tyre,

-dronëve dhe prodhimit të tyre,

-forcave detare dhe ajrore,

-strukturave të komandës dhe kontrollit,

-dhe asaj që ka mbetur nga programi i tij bërthamor.

Dobësimi i kapaciteteve ushtarake të një vendi është një mision ushtarak i realizueshëm dhe i ndarë nga rezultati politik që mund të shpresojnë të shohin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli në Iran.

Megjithatë, kjo kërkon kohë. Planifikuesit ushtarakë ka të ngjarë t’i kenë thënë Trumpit se operacioni është në rrugën e duhur, ndoshta edhe më shpejt se sa ishte parashikuar, por duhen të paktën disa javë për ta përfunduar.

Zyrtarët në një konferencë të Pentagonit të martën refuzuan të diskutonin afate konkrete, ndërsa Shtëpia e Bardhë konfirmoi afatin fillestar prej katër deri në gjashtë javësh. Si supozim planifikimi, operacioni ushtarak mund të vazhdojë edhe disa javë të tjera.

Variablat ekonomike dhe politike

Planifikimi i skenarëve është aq i mirë sa faktet që dihen në atë moment. Në këtë rast supozohet se lideri i ri suprem i Iranit mbetet gjallë dhe nuk ka tronditje të tjera politike në Teheran.

Gjithashtu mund të supozohet se çmimet e energjisë do të mbeten të larta, edhe nëse anijet fillojnë të kalojnë sërish nëpër Ngushtica e Hormuzit.

Sa kohë që konflikti vazhdon në zemër të një rruge jetike transporti energjie, do të ketë pasoja ekonomike globale. Irani synon të rrisë dhimbjen ekonomike për të ndikuar Trumpin që ta përfundojë luftën shpejt, diçka që presidenti deri tani e ka refuzuar.

Bazuar në këto supozime, këto janë tre skenarët e mundshëm për periudhën në vijim:

1. Skenari bazë (60%): Iran i përmbajtur, i ngjashëm me Irakun e viteve ’90

Në këtë skenar, Trump i jep ushtrisë kohën e nevojshme për të përfunduar misionin e dobësimit të fuqisë ushtarake të Iranit.

Kjo do të thotë se SHBA-të dhe aleatët mund të kufizojnë tronditjet ekonomike dhe presidenti mbetet i përkushtuar ndaj misionit.

Në fund të muajit, kapacitetet ushtarake dhe industria e mbrojtjes e Iranit do të jenë dobësuar ndjeshëm, por struktura politike do të mbetet në fuqi. Fushata intensive ushtarake do të ndalojë pasi të ketë arritur objektivin e saj, por pa premtim për ndryshim regjimi në Teheran.

Më pas, sanksionet amerikane dhe ndërkombëtare do të mbeten në fuqi derisa Irani të heqë dorë nga programi bërthamor dhe nga raketat balistike me rreze të gjatë.

Ushtarakisht, SHBA-të dhe Izraeli mund të vazhdojnë patrullimet ajrore mbi Iran për të penguar rikthimin e programeve ushtarake.

Ky skenar mund të ngjajë me situatën e Irakut në vitet ’90: një shtet i dobësuar dhe i përmbajtur, me aviacion amerikan që monitoron situatën për të parandaluar kërcënime të reja.

2. Skenari më i keq (30%), Iran i fuqizuar

Skenari më i keq do të ishte që tronditjet ekonomike ta detyrojnë Trumpin të shpallë fitoren shumë herët, para se fushata ushtarake të përfundojë.

Kjo do të linte një Iran me strukturat e pushtetit të konsoliduara dhe me kapacitete ushtarake që mund të rindërtohen. Rajoni do të bëhej edhe më i paqëndrueshëm, sepse vendet e Gjirit do të përballeshin me një Iran me kapacitete në rritje raketash dhe dronësh.

Ky skenar mund t’i tërhiqte edhe më shumë SHBA-të në Lindjen e Mesme, për të mbrojtur aleatët rajonalë nga këto kërcënime.

3. Skenari më i mirë (10%): Një Iran i ri, dhe një Lindje e Mesme e re

Në skenarin më optimist, presioni ushtarak ndaj Iranit dobëson regjimin dhe rrit besimin e qytetarëve iranianë për të dalë në rrugë dhe për të kërkuar rrëzimin e Republikës Islamike.

Megjithatë historia tregon se presioni ushtarak nga jashtë rrallëherë rrëzon një regjim pa një opozitë të organizuar brenda vendit.

Sipas planit ushtarak të përshkruar nga Pentagoni, objektivi është dobësimi i fuqisë së Iranit jashtë kufijve të tij, jo rrëzimi i regjimit në Teheran. Për një gjë të tillë do të duheshin forca tokësore amerikane ose një opozitë e organizuar, gjëra që nuk janë pjesë e kësaj fushate.

Prandaj mundësia e një ndryshimi të shpejtë regjimi mbetet e ulët.

Një përfundim i pasigurt

Këta tre skenarë nuk përjashtojnë njëri-tjetrin. Sipas analizës së CNN-it, në planin afatgjatë mund të ndodhë një dobësim gradual i Republikës Islamike dhe rritje e presionit nga populli iranian.

Megjithatë në muajt e ardhshëm rezultati më i mundshëm nuk është një zgjidhje e qartë, por një Iran më i dobët dhe më i kufizuar, me ekuilibra të rinj fuqie në rajon dhe me shumë pasiguri për të ardhmen.

Përshtatur në shqip, nga CNN