Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, në një intervistë të drejtpërdrejtë për Klan News, ka folur lidhur me situatën aktuale në vend nga përmbytjet.

Ai sqaroi se zonat më problematike kanë qenë qarku i Durrësit, por dhe ai i Lezhës, sikurse përmendi dhe vështirësitë në Bashkinë Gjirokastër mbrëmjen e së martës.

“Zona problematike ka qenë kryesisht qarku i Durrësit, qyteti i Durrësit mund të themi, Lezha… kemi pasur një problematikë në mbrëmje në Bashkinë e Gjirokastrës. Kemi bërë ndërhyrjet e duhura, bashkia ka qenë koherente së bashku me Ministrinë e Mbrojtjes për të bërë të mundur të gjithë përballimin e situatës. Por, edhe Bashkia e Durrësit ka pasur një problematikë mund të themi në disa nga zonat e përmbytur“, tha ai.

Salla bëri me dije se ndërhyrjet kryesore nga ministria që ai drejton janë ato në zonat bujqësore, e që pritet sipas tij që në ditët pasardhëse të ketë përmirësim të situatës pasi do të ketë tërheqje të ujit.

“Është tërhequr uji në disa nga lagje dhe zona por kemi akoma situatë jo të mirë në disa nga lagjet të cilat kanë pasur një prurje të shtuar të ujit. Jemi duke ndërhyrë në disa nga problematikat që lidhen kryesisht në zonën bujqësore, ku kemi 29 eksavatorë në të gjithë territorin, por që kryesisht i kemi përqendruar në qarkun e Durrësit dhe të Lezhës për të bërë ndërhyrjet e duhura edhe në një nga argjinaturat që kemi pasur një problematikë. Është në process mbylljeje. Në argjinaturë dhe të gjithë stafi i Ministrisë së Bujqësisë janë në terren për të evidentuar problematika që lidhen kryesisht me bujqësinë në tokat e përmbytura, por edhe problematikat që lidhen me kafshet apo problematika që janë në verifikim dhe ky procesi që ka Ministria, në mënyrë që ne të kemi një informacion më të detajuar ndaj të gjithë sektorit bujqësor në këto territore të cilat janë prekur në bujqësi”, tha ai.

“Presim që në disa nga zonat do të bjerë niveli i ujit ku kemi pasur një nivel të shtuar të reshjeve dhe presim që këto, sot e nesër, të kemi e një situatë më të lehtë, ku uji është tërhequr dhe verifikimet janë më të lehta për t’u bërë nga ana e stafit të Ministrisë”, shton Salla.

Bashkëpunimi me bashkitë e prekura sipas ministrit ka qenë mjaft i mirë.

“Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me kryetarët e bashkive dhe të gjithë stafet e tyre që kanë qenë në terren gjatë gjithë kohës. Kryesisht në zonat e prekura, qoftë në Gjirokastër, në Durrës dhe në Lezhë, ku kanë qenë në territor edhe vetë kryetarët e bashkive për të monitoruar e për të qenë bashkë me stafet e tyre e emergjencave civile dhe Ministrinë e Bujqësisë për të qenë në krah të qytetarëve, për të bërë ne atë që është më e mira ndaj punës që duhet të bëjmë, ndaj banorëve, qytetarëve dhe shqetësimet që kanë qenë për reshjet dhe prurjet e shumta që janë në këto zona, siç është Durrësi dhe Lezha”, tha ai.

Ministri shprehet se hidrovorët në vend janë të gjitha në funksion të plotë, e se ai vetë i ka ndjekur kapacitetin e tyre dhe problematikat që lidhen me sektorin e bujqësisë nga afër në terren, kryesisht në Durrës dhe Lezhë.

“Kanë qenë në kapacitet të plotë dhe janë në të gjithë Shqipërinë hidrovorët në kapcitet të plotë, e janë në funksion të gjitha hidrovorët në Shqipëri, përfshirë dhe ato të Durrësit. Nuk e di që dikush të ketë nxjerrë një lajm të rremë ku ka pasur problematika ndaj hidrovorët. Hidrovorët janë në punë, në kapacitet të plotë. Unë kam qenë prezent vetë në të gjithë qarkun e Durrësit dhe Lezhës kryesisht, për të monitoruar hidrovorët por edhe për problematika që lidhen me pjesën e bujqësisë. Hidrovorët janë në funksion të plotë edhe në Durrës, edhe në Lezhë, e në të gjithë Shqipërinë”, sqaron ai.

Sakaq, i përket pastrimit të kanaleve, Salla sqaron se ende nuk ka arritur puna e autoriteteve në këtë fazë, pasi po vijon grumbullimi i të dhënave në terren për problematikat aktuale, e më pas të bëhet ndërhyrja e duhur.

/tvklan.al