Këtë fundjavë Kimi Antonelli fitoi titullin kampion bote, duke u bërë piloti më i ri. Po cili është djaloshi që po sfidon limitet?
Ka njerëz që lindin me një talent të veçantë, por janë shumë të paktë ata që arrijnë ta kthejnë atë në histori. Kimi Antonelli është një prej tyre!
Vetëm 20 vjeç, italiani i Mercedesit ka hyrë në historinë e Formula 1 si kampioni më i ri i botës, duke thyer rekordin e Sebastian Vettel, i cili e kishte fituar titullin e parë në moshën 23-vjeçare.
Por pas këtij suksesi qëndron një histori që nisi shumë më herët se Formula 1. Në timon që në moshën 7-vjeçare, pjesë e akademisë së Mercedesit që në moshën 12-vjeçare, Kimi ndërtoi hap pas hapi një rrugëtim të jashtëzakonshëm.
Në vitin 2022 fitoi dy kampionate të Formula 4, me plot 22 fitore në dy kompeticionet, ndërsa një vit më pas triumfoi në dy kampionate të Formula Regional. Në vitin 2024 kaloi drejtpërdrejt në Formula 2, duke kapërcyer një shkallë të rëndësishme të karrierës: Formula 3!
Dhe në vitin 2026, shpërtheu në elitën e automobilizmit: nëntë fitore, 16 podiume dhe shtatë pole position. U bë piloti më i ri që siguroi pole position në një Çmim të Madh, më i riu që mori kryesimin e kampionatit dhe më i riu që fitoi në Monako. Në Meksikë, me një vend të tretë, vulosi titullin historik!
Por këtu lind pyetja që shoqëron çdo sukses të jashtëzakonshëm: sa është talent dhe sa është punë? Sepse talenti mund të të hapë derën, por janë disiplina, sakrifica, përgatitja dhe këmbëngulja ato që të mbajnë në majë.
Antonelli po ndryshon edhe imazhin e Formula 1: një brez i ri, më i guximshëm, më i lidhur me teknologjinë dhe pa frikë nga sfidat e mëdha. Ai dëshmon se në një sport ku përvoja ka qenë gjithmonë një avantazh, mosha nuk është domosdoshmërisht pengesë për të shkruar historinë.
Dhe mesazhi i tij shkon shumë përtej pistës: nuk është e nevojshme të presësh të rritesh për të bërë gjëra të mëdha.
Duhet të guxosh, të punosh dhe të besosh te vetja!
Sepse e ardhmja nuk u përket vetëm atyre që vijnë pas… ndonjëherë, ajo drejtohet nga të rinj që kanë guximin ta marrin timonin që sot!
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
