Kimi Antonelli është gjithnjë e më pranë titullit kampion në Formula 1. Fitorja e Max Verstappen në Singapor shtoi akoma dhe më shumë gjasat e italianit për titullin kampion.

Me gjashtë gara të mbetura në sezon, ai ka krijuar një epërsi prej 102 pikësh ndaj shokut të skuadrës, George Russell, dhe mund të rikthejë Italinë në majën e botës së automobilizmit pas më shumë se shtatë dekadash.

20-vjeçari ka grumbulluar deri tani 340 pikë, kundrejt 238 të Russell, duke e vendosur veten në një pozicion të favorshëm në garën për titullin botëror.

Nëse e mbyll sezonin në krye, Antonelli do të bëhet piloti i parë italian që fiton titullin e pilotëve që prej Alberto Ascarit, i cili triumfoi në vitin 1953 me Ferrarin 500 F2.

Një sukses i tillë do të shënonte fundin e një pritjeje 73-vjeçare për Italinë në kategorinë më të rëndësishme të automobilizmit.

Mundësia e parë për të siguruar matematikisht titullin mund të vijë në Çmimin e Madh të Shteteve të Bashkuara, në Teksas, pas dy javësh.

Megjithatë, fitorja në pistë nuk do të mjaftonte e vetme. Rezultati do të varej edhe nga pikët që do të grumbullonin rivalët e tij.

Sipas skenarit të parashikuar, Russell do të duhej të merrte jo më shumë se dy pikë, duke përfunduar në vendin e nëntë ose më poshtë, ndërsa Hamilton nuk do të duhej të renditej më lart se vendi i pestë, në mënyrë që Antonelli të përfitonte nga kombinimi i rezultateve.

Nëse këto kushte nuk plotësohen në Austin, festa e pilotit italian mund të shtyhet për garat e Meksikës dhe Brazilit, ku ai do të ketë mundësi të tjera për të siguruar titullin.

Një skenar alternativ do të krijohej nëse garat e planifikuara në Katar dhe Abu Dhabi anulohen për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme dhe zëvendësohen me një garë në Imola, duke ndryshuar numrin e garave të mbetura dhe llogaritjet për titullin.

Në këtë rast, Antonelli mund të ketë nevojë vetëm të ruajë epërsinë ndaj Russell ose të kufizojë humbjen e pikëve në Austin, në varësi të klasifikimit dhe rregullave përkatëse.

Me avantazhin e krijuar deri tani, italiani është shumë pranë një arritjeje historike. Por matematikisht, titulli do të jetë i sigurt vetëm kur diferenca e pikëve të mos lejojë më rivalët ta kapin.

Klan News

/tvklan.al