Empoli bëri historinë duke u kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë, pasi eliminoi me penallti ekipin që ka më shumë trofe të tillë, Juventus. Në fushë u rikthye Ardian Ismajli si titullar dhe kapiten, pas 1 muaji mungesë për shkak dëmtimit të pësuar në kampionat ndaj Juves.
Shqiptari u la të luajë vetëm pjesën e parë, duke u zëvendësuar gjatë pushimit, por kjo për ta ruajtur sipas mediave italiane. Trajneri Roberto D’Aversa e vlerësoi të domosdoshëm Ismajlin që me sigurinë që i jep mbrojtjes të krijon mundësinë të zhvillosh aksione.
“Nuk është një rastësi që sot u kthye Ismajli. Është shumë e rëndësishme që e kemi sërish të gatshëm, pasi është ai që na udhëheq dhe na lejon të tregohemi më kërkues në fushë”.
Rikthimi i Ardian Ismajlit është edhe një lajm i mirë për Kombëtaren në prag të ndeshjeve kualifikuese të Botërorit 2026 me Anglinë më 21 mars në Londër dhe Andorën 3 ditë më vonë në Tiranë. Këto takime do të transmetohen direkt në Tv Klan.
Tv Klan