Fitorja 3-2 e Argjentinës ndaj Egjiptit nuk ka sjellë vetëm festë te tifozët e “Albicelestes”, por ka pushtuar edhe faqet e para të mediave më të mëdha sportive në botë.

Një ndeshje e çmendur, ku skuadra e Lionel Scalonit u gjend në disavantazh me dy gola, por reagoi me karakter të jashtëzakonshëm duke përmbysur gjithçka në minutat e fundit me golin spektakolar i Enzo Fernandez.

Fjala më e përdorur nga mediat ndërkombëtare ishte vetëm një: “përmbysje”. Një rikthim që tashmë konsiderohet ndër momentet më të paharrueshme në historinë e Kupës së Botës.

Gazeta spanjolle AS i kushtoi një titull të madh Lionel Messit: “Zoti është ringjallur”, duke iu referuar kapitenit argjentinas, i cili ishte protagonist me një gol dhe një asist në këtë përmbysje të jashtëzakonshme.

Edhe prestigjiozja franceze L’Équipe e përshkroi suksesin si “mrekullia argjentinase”, duke theksuar se kampionët e botës treguan edhe një herë aftësinë për të gjetur forcën kur gjithçka dukej e humbur.

Në Itali, La Gazzetta dello Sport vlerësoi reagimin e jashtëzakonshëm të Argjentinës dhe ndikimin e vazhdueshëm të Lionel Messit në skenën botërore.

Në Portugali, A Bola e përshkroi ndeshjen si një “përmbysje epike”, duke theksuar se Egjipti zhvilloi një paraqitje të madhe, por në fund zemra dhe karakteri i kampionëve të botës bënë diferencën.

Edhe mediat braziliane pranuan madhështinë e Argjentinës, duke e cilësuar këtë tjetër një dëshmi të forcës së një skuadre që synon të mbrojë titullin botëror.

Protagonisti absolut mbetet Lionel Messi. Ylli argjentinas shënoi golin e tij të tetë në këtë Kupë Bote dhe dha një asist, duke u bërë lojtari me më shumë pasime vendimtare në historinë e turneut.

Megjithatë, kjo ndeshje solli edhe një rekord negativ për të: Messi humbi një penallti që mund t’i jepte barazimin Argjentinës, duke u bërë lojtari i parë që gabon dy penallti brenda 90 minutave në të njëjtin edicion të Botërorit.

Por kapiteni nuk u ndikua nga gabimi. Ai kërkoi sërish topin, mori përgjegjësinë dhe u bë udhëheqësi i përmbysjes së madhe argjentinase, një reagim që la të mahnitur edhe trajnerin Lionel Scaloni.

“Është diçka e jashtëzakonshme. Messi mund të kishte menduar se gjithçka kishte mbaruar pas penalltisë së humbur, por ai kërkoi përsëri topin dhe mori përgjegjësinë. Kjo më emocionon, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për të. E gjithë skuadra tregoi një forcë të madhe. Janë ndeshje që lënë gjurmë dhe tregojnë karakterin e këtij grupi”, tha trajneri i Argjentinës, Scaloni.

Argjentina vazhdon rrugëtimin në Botëror dhe më 12 korrik do të përballet me Zvicrën në një sfidë vendimtare për titullin. Një tjetër provë e madhe për kampionët e botës, ku edhe një herë, në momentet më të vështira, lideri i padiskutueshëm mbetet Lionel Messi.

/tvklan.al