Pjesë të Barrierës së Madhe Shkëmbore kanë pësuar humbjen më të madhe të shtresës koralore. Degët veriore dhe jugore të shkëmbit australian janë prekur nga zbardhja e koraleve, zbuloi Instituti Australian i Shkencës Detare (AIMS), raporton BBC.

Shkëmbinjtë janë rrahur muajt e fundit nga ciklonet tropikale dhe yjet gjembaçë të detit që ushqehen me korale, por i nxehti i shkaktuar nga ndryshimet klimatike është shkaku kryesor.

AIMS thotë se ky habitat mund të arrijë pikën kur koralet të mos shërohen dot në kohë gjatë fenomeneve katastrofike dhe përballet me një të ardhme “të paqëndrueshme.” AIMS vëzhgoi 124  shkëmbinj koralorë gjatë gushtit 2024-majit 2025. Instituti kreyn vëzhgime që prej vitit 1986.

Barriera e Madhe Shkëmbore është një rrip prej 2300 kilometrash me korale tropikale të cilat tashmë janë kthyer në të bardha. Kjo ka ndodhur edhe në bregun perëndimor të Australisë, Ningaloo ku ndodhet shkëmbi i dytë më i madh koralor.

Koralet janë jetike për planetin. Të quajtura edhe “arkitektet e detit”, ato ndërtojnë struktura të pafundme që strehojnë 25% të gjallesave detare. Zbardhja e tyre ndodh kur stresohen për shkak të ujit të nxehtë.

Ripërtëritja kërkon vite dhe varet nga riprodhimi i tyre dhe stresi minimal  klimatik. “Koralet rriten më  shpejt dhe vdesin të parat”, thotë Mike Emslie nga AIMS. “Barriera e Madhe Shkëmbore është një vend kaq i bukur, ikonik që ia vlen vërtet të luftosh. Nëse i japim një mundësi, ka shfaqur një aftësi të jashtëzakonshme për t’u shëruar.”

Qeveria ka pasur sukses me një program për vrasjen e 50 mijë yjeve gjembaçë të detit që u është injektuar uthull ose lëndë biliare të demit.

Këto krijesa janë endemike në këtë zonë dhe hanë sasi të pafundme koralesh. Prej 1960-ës, numri i tyre është rritur shumë. Sipas ekspertëve, disa shkëmbinj koralorë në botë nuk mund të rikuperohen dhe i  njëjti fat mund ta presë edhe Barrierën e Madhe Shkëmbore.

Barriera e Madhe Shkëmbore është prej 40 vitesh në listën e UNESCO, por kjo e fundit ka paralajmëruar se ndodhet në rrezik për shkak të ngrohjes së deteve dhe ndotjes./tvklan.al