Në kuadër të operacionit policor të koduar “Hills 2”, policia ka zbuluar një tjetër bazë që shërbente për furnizimin e grupeve kriminale në Sukth. Aty mbaheshin armë zjarri, sasi e madhe fishekësh të kalibrave të ndryshme dhe sende të tjera të kundërligjshme, të cilat dyshohet se do t’i shërbenin grupeve kriminale.

Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri kallashnikov, 1 granatë, ndezës granate, 1 palë dylbi snajperi, krehër arme, 1 rrip ushtarak me fishekë dhe mijëra fishekë të tjerë të kalibrave të ndryshme. Gjithashtu, gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u vu në pranga pronari i banesës që dyshohet se shërbente si bazë, qytetari me iniciale A. S..

2 ditë më parë, Policia e Durrësit zbuloi një tjetër bazë kriminale, nga e cila u sekuestruan 4 kallashnikovë, 20 krehra dhe një sasi e madhe fishekësh në fshatin Shkallnur në një banesë të pabanuar dhe gjysmë të ndërtuar. Ndërkohë, javën e kaluar edhe në fshatin Babicë të Vlorës u gjet një bazë armatimesh që shërbente për grupet kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./tvklan.al