Përmes një peticioni, 85 artistë të Operës, Baletit, Ansamblit Popullor dhe Cirkut Kombëtar kundërshtojnë projektligjin për trajtimin financiar të artistëve pas përfundimit të karrierës në skenë.

Ata kërkojnë që, përpara miratimit të skemës financiare, të hartohet dhe miratohet Statusi i Artistit, i cili sipas tyre duhet të përfshijë problematikat e profesionit, nga pensioni dhe pagat, te mbrojtja sociale dhe kushtet e punës.

“Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk pranojmë miratimin e asnjë skeme të veçuar pa u hartuar dhe miratuar më parë Statusi i Artistit”, tha Julian Kazazi.

Projektligji është në fazën e konsultimit publik. Sipas tij, artistët mund të largohen nga skena që në moshën 47-vjeçare dhe të përfitojnë mbështetje financiare deri në pension.

Për këto ministria e Kulturës i ka ftuar në një takim që pritet të zhvillohet të premten, ku artistët do të paraqesin vërejtjet dhe propozimet e tyre.

/tvklan.al