19 gusht 2026 – Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka bërë një postim mëngjesin e kësaj të mërkure, në rrjetet e tij sociale, ku krahas fotos së qytetit të Sarandës ka një mesazh.

“Balanca mes të drejtave të njeriut dhe rendit ligjor vlen për qytetarët dhe mbron shoqërinë. Ata që sfidojnë ligjin dhe linçojnë shërbëtorët e tij, meritojnë përgjigjen më shembullore nga Policia e Shtetit”, shkruan ai, referuar kështu ngjarjes së bujshme të vrasjes së turistit 20-vjeçar në Ksamil.

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pas një feste, një 29-vjeçar nga Hasi e goditi disa herë me thikë turistin portugez Luis Miguel Varela Mendes. Sherri nisi fillimisht në ambientet e lokalit “Principote” e më pas u zhvendos në pjesën e jashtme të lokalit “Paradise”. Pasi e la të vdekur në vend, ai u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes, në tentativë për t’u arratisur.

Në kryerjen e këtij krimi të rëndë, pati edhe bashkëpunëtorë, detaj që e ka konfirmuar Policia gjatë pasdites të së martës. Ai më kryesori dyshohet se është shtetasi me inicialet D.H., bashkëmoshatar me autorin, i cili aktualisht po kërkohet nga blutë.

Siç mësohet deri më tani, konflikti ka nisur për motive të dobëta që lidhen me një vajzë.

Në përleshjen fizike, janë përfshirë edhe katër kamarierë të lokalit, ndërsa tre punonjësit e sigurisë nuk bënë asgjë për të parandaluar krimin apo aq më tepër për të lajmëruar autoritetet. Njëjtë si këta të fundit ka vepruar edhe pronari i lokalit, shtetasi B.B., i cili po ashtu është shpallur në kërkim, ndërsa rezulton një person me precedentë të mëparshëm. Duhet nënvizuar se dy nga truprojat e “Principotes” ishin punonjës policie.

Në total, janë vënë në pranga 11 persona, mes tyre autori dhe dy shtetas turq, të cilët ndodheshin në automjetin me të cilin 29-vjeçari tentoi arratisjen. Para hetuesve, ata kanë deklaruar se po e ndihmonin pasi kishin lidhje shoqërore me të.

Më poshtë, mund të shihni sërish pamjet e momentit (në dy versione) kur i riu nga Hasi nxirret nga bagazhi i makinës për t’u prangosur, 5 orë pas ngjarjes, në Levan të Fierit:

VIDEOJA E PLOTË