Raportim Live

Momenti i shoqërimit të Elvis Shkambit dhe xhaxhait të tij

Ky është momenti i shoqërimit nga policia të Elvis Shkambit dhe xhaxhait të tij Gjon Shkambi, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi këtë të hënë, më 6 tetor, rreth orës 15:40 në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë… Lexo më shumë

Apeli probleme me detektorin?

Gazetarja Glidona Daci përcjell detaje për ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të hënë në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Sipas saj, detektori në këtë gjykatë nuk funksiononte gjatë gjithë kohës dhe momentalisht nuk është e qartë nëse ky problem ishte raportuar nga ky institucion. Kjo do të mund të shpjegonte ndoshta edhe faktin se si arriti 30-vjeçari Elvis Shkambi të futej në sallë të gjyqit me armë zjarri me vete.

download app

GjK: Mbrojtja e gjyqtarëve, përgjegjësi e shtetit!

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi këtë të hënë pas një seance gjyqësore.

Në një deklaratë zyrtare, Gjykata Kushtetuese përcjell ngushëllime për familjen, të afërmit dhe kolegët e të ndjerit, ndërsa thekson se “Ky akt i rëndë përbën një sulm të drejtpërdrejtë, jo vetëm ndaj individit, por edhe ndaj parimeve themelore të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës”…Lexo më shumë

Në polici të gjithë personat që ndodheshin në sallë të gjyqit

Klan News raporton se policia e Tiranës ka shoqëruar të gjithë personat të cilët ndodheshin në sallën ku zhvillohej seanca gjyqësore, në momentin kur 30-vjeçari Elvis Shkambi hapi zjarr në drejtim të gjyqtarit Astrit Kalaja.

Në mesin e të shoqëruarve janë palët e përfshira në proces, punonjësit e gjykatës e rojet e sigurisë. Ata mësohet se po merren në pyetje, por deri më tani nuk raportohet për të ndaluar.

Po sipas Klan News, në fokus të hetimit do të jetë mënyra autori arriti të fuste armën brenda në gjykatë. Paraprakisht raportohet se ai është futur brenda nga hyrja e publikut.

Pasqyrimi në mediat ndërkombëtare

Ngjarja e rëndë e kësaj të hëne, 6 tetor, ku mbeti i vrarë gjyqtari Astrit Kalaja dhe u plagosën dy të tjerë, është pasqyruar edhe në mediat ndërkombëtare.

Në një raportim të sajin, The Guardian shkruan se “një person hapi zjarr në një sallë gjyqi në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, të hënën, duke vrarë gjyqtarin dhe duke plagosur dy persona të tjerë, njoftoi policia. Autori i armatosur u largua nga vendngjarja, por më pas u arrestua”.

Një raportim për ngjarjen përcolli edhe Washington Post…Lexo më shumë

GJKKO: Alarm për gjendjen e sigurisë së magjistratëve!

“Trupa gjyqësore e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpreh me dhimbje dhe indinjatë të thellë reagimin ndaj ngjarjes tragjike të ndodhur sot, ku humbi jetën në mënyrë të dhunshme gjyqtari i Gjykatës së Apelit, z. Astrit Kalaja. Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin tonë me familjen, të afërmit dhe kolegët e gjyqtarit Kalaja. Humbja e një përfaqësuesi të drejtësisë në mënyrë të tillë është një goditje e rëndë për të gjithë sistemin gjyqësor dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi”.

“Ngjarja e sotme është një alarm për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin magjistratët në Republikën e Shqipërisë. Gjyqtarët janë shtylla të sistemit të drejtësisë dhe garantues të shtetit të së drejtës, ndaj siguria e tyre personale është jo vetëm një detyrim institucional, por një domosdoshmëri për funksionimin normal të sistemit demokratik dhe sundimit të ligjit. Ky akt kriminal është një kërcënim serioz ndaj pavarësisë së gjyqësorit, integritetit të funksionit të magjistratit dhe besimit të qytetarëve në shtetin e së drejtës. Askush që mban mbi supe përgjegjësinë për të garantuar zbatimin e ligjit nuk duhet të ndjehet i pambrojtur“…Lexo më shumë

“Ky akt i rëndë cënon themelet e shtetit të së drejtës”

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, duke e cilësuar ngjarjen një akt të rëndë që cënon themelet e shtetit të së drejtës, sigurinë e institucioneve të drejtësisë dhe besimin e publikut te gjykatat. Në deklaratën zyrtare, KLGJ dënon ashpër krimin dhe thekson se integriteti dhe siguria e magjistratëve janë gurë themeli për mbrojtjen e drejtësisë dhe të interesit publik…Lexo më shumë

Reagon delegacioni i BE

“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri është i tronditur nga akti i dhunës që çoi në vrasjen e gjyqtarit Kalaja dhe plagosjen e dy qytetarëve shqiptarë. Ne e dënojmë me forcë këtë akt kriminal. Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjen e gjyqtarit Kalaja. Kjo tragjedi nënvizon nevojën e ngutshme që Shqipëria të rrisë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë në sallat e gjyqit. Bashkimi Evropian mbetet i palëkundur në mbështetjen e konsolidimit të reformës në drejtësi dhe të forcimit të sundimit të ligjit në vend”…Lexo më shumë

Të merren masa të menjëhershme për rritjen e sigurisë – reagon Gjykata e Apelit

Gjykata e Apelit kërkon marrjen e masave të menjëhershme për forcimin e sigurisë në ambientet gjyqësore, duke theksuar se siguria është parakusht për ushtrimin e pavarur të detyrës gjyqësore.

“Kjo ngjarje tragjike imponon reflektim të thellë mbi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në ambientet gjyqësore, duke garantuar mbrojtjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, palëve dhe çdo qytetari që hyn në sallat e drejtësisë. Siguria është parakusht i pandashëm për ushtrimin e pavarur dhe të paanshëm të detyrës gjyqësore. Kërkojmë që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme për rritjen e nivelit të sigurisë dhe për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen“, thuhet në reagimin zyrtar…Lexo më shumë

Banori përlotet për gjyqtarin: Vdiq për ne…

Banorët e një ndërtese në qytetin e Shkodrës, prej nga nisi konflikti që përfundoi tragjikisht me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja këtë të hënë, kanë folur mes lotësh për përvojën e tyre të gjatë me gjyqet, kërcënimet dhe pasojat që lanë pas. Ata shprehen të tronditur për vrasjen e gjyqtarit dhe theksojnë se vendimi i tij ishte i drejtë, duke pohuar se Kalaja “vdiq për ne”.

“Jemi nën kërcënim të vazhdueshëm,” thotë një nga banorët. Një zonjë tregon para gazetarëve se: “Po, ka ardh te shpia, unë shkoj në punë në 6 të nadjes, kur kthehem e gjej makinën të parkuar para shpisë”…Lexo më shumë