Burime për gazetarin Besar Bajraktaraj pranë DSIK-së, institucion që verifikon pastërtinë e figurës për punonjës të AMP-së bëjnë me dije se Muçi Shaljani (Sheqeri) nuk rezulton të ketë pasur certifikatë sigurie.
Për këtë arsye ka nisur një hetim për të zbuluar mënyrën e punësimit të tij pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Sheqeri është punësuar në muajin shtator kur institucioni drejtohej nga Artiol Saliasi. Ai ka patur një kontratë 3 mujore si fillim në AMP, që i mbaronte në mes të dhjetorit.
Kujtojmë se Shaljani ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai mbeti i plagosur si pasojë e të shtënave që u qëlluan ndaj makinës që drejtonte pranë aeroportit të Rinasit. Shoku i tij, Gilmando Dani, që mendohet se ishte shënjestra e atentatit, mbeti i vdekur në vend.
Policia ka këqyrur kamerat e bizneseve dhe të aeroportit për të parë lëvizje të dyshimta për persona të tjerë që mund të kenë qenë informatorë të autorëve. Këta të fundit e kanë pritur viktimën dhe shokun e tij brenda makinës Toyota, të ndaluar pranë rrethrrotullimit.
Hetuesit po verifikojnë të gjitha makinat e tjera apo njerëzit që kalojnë disa herë tek porta dalëse e aeroportit. Në fokus janë ata persona që kanë qëndruar më gjatë dhe janë larguar sapo kanë dalë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Gjithsesi deri më tani nuk ka emra konkretë si të dyshuar.
Targat e mjetit të autorëve tip “Toyota” rezultojnë të vjedhura në Greqi vitin e shkuar. Ndërsa makina ende nuk është përcaktuar nëse është e vjedhur apo jo për shkak se ende nuk është rikuperuar numri i shasisë për shkak të djegies së makinës.
Autorët, të cilët kanë qenë katër (tre qitës dhe një shofer) kanë ardhur nga zona e Niklës drejt Rinasit, zonë dhe nga janë larguar më pas.
/tvklan.al












Botërori 2026 
