Gilmando Dani mbeti i vrarë këtë të martë, 11 nëntor, në një atentat mafioz. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:20, te rrethrrotullimi i aeroportit të Rinasit.
Dani, 47 vjeç, ishte pasagjer në një makinë të bardhë. Shoferi i makinës, i identifikuar si 40-vjeçari Muçi Shaljani alias Sheqeri, mbeti i plagosur rëndë.

“Rreth orës 14:20, te rrethrrotullimi në afërsi të aeroportit, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri drejt automjetit me të cilin po lëviznin shtetasit M. Sh., rreth 40 vjeç dhe G. D., rreth 47 vjeç. Si pasojë ka humbur jetën shtetasi G. D. dhe është plagosur shtetasi M. Sh., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetësore. Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë punën për kapjen e autorit/ëve. Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, tha Policia e Shtetit në një njoftim paraprak për mediat.
I plagosuri u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë dhe, sipas raportimit të gazetares Glidona Daci, ai është në gjendje kritike për jetën.
Nga vendi i ngjarjes, gazetari Merin Maçi thotë se i plagosuri dyshohet se është agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Ndërkohë, siç mund të shihet në videon më poshtë, në drejtim të makinës ku udhëtonin viktima dhe i plagosuri është lëshuar breshëri plumbash.
Në një tjetër video, tregohen momentet e para pas atentatit, ku shihet i plagosuri që mezi mbushet me frymë, ndërsa Gilmando Dani ndodhet i pajetë në sediljen e pasagjerit.
Aq shumë u qëllua në drejtim të makinës, sa plumbat dëmtuan edhe një hotel që ndodhej aty pranë. Siç raporton gazetari Besar Bajraktaraj, një nga autorët e dyshuar të ngjarjes ka dalë nga makina dhe ka qëlluar në drejtim të automjetit…(Lexo më shumë)
Deri në këto momente, nuk dihet asgjë mbi identitetin e tij/tyre. Ajo që dihet është se atentatorët udhëtonin me një makinë Toyota me targa greke. Makina u largua me shpejtësi dhe pak kohë më pas u gjet e shkrumbuar në fshatin Halil të Krujës.
Në një njoftim të dytë për mediat, disa orës pas atentatit, policia tha se brenda makinës u gjetën 4 armë zjarri. Mbetet e paqartë sa persona morën pjesë në këtë vrasje.
“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, në fshatin Halil, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Toyota”, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur në Rinas. Në automjet janë konstatuar 4 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje. Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Është publikuar edhe fotoja e makinës së shkrumbuar plotësisht, në fshatin Halil të Krujës, si më poshtë:

Duke marrë shkas nga emri i të vrarit, por edhe dinamika, ngjarja e sotme ka të gjitha tiparet e një atentati të mirëorganizuar.
Por kush ishte Gilmando Dani?
I konsideruar si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, ai ishte një emër tejet i njohur për drejtësinë. I përfshirë në disa ngjarje kriminale dhe pre e të paktën dy atentateve në të shkuarën (Lexo më shumë).

Dani u dënua me 12 vjet burg për gjobëvënie, bashkë me pjesëtarë të tjerë të grupit të Shullazit. Siç raporton gazetarja Daci, ai e la qelinë në tetor të vitit 2024, pasi kishte kryer tre të katërtën e dënimit.
Gjithnjë sipas asaj që mësohet deri më tani nga gazetarët e Televizionit Klan, të cilët raportojnë nga terreni, Gilmando Dani sapo kishte mbërritur në aeroportin e Rinasit së bashku me Shaljanin, i cili rezulton person pa precedentë penalë.

Ata sapo ishin kthyer nga Barcelona. Nga Shqipëria ishin larguar më datë 7 nëntor dhe automjetin e kishin parkuar në aeroportin e Rinasit.












Botërori 2026 