Një tragjedi e lindur në mes të një shkëmbimi zjarri dhe një takim që, vite më vonë, do të sillte përballë viktimat dhe njeriun që kishte tërhequr këmbëzën.

Kjo është historia mbi të cilën është ndërtuar “Atonement”,  filmi i parë artistik i regjisorit dhe skenaristit Reed Van Dyk.

Ngjarja reale ndodhi në prill të vitit 2003. Tre persona të një familjeje armene të krishterë po udhëtonin me makinë në Bagdad, kur marinsat amerikanë, të përfshirë në një përleshje me forcat irakiane, hapën zjarr drejt automjeteve.

Tre burra të familjes u vranë dhe shumë vite më pas, historia do të merrte një tjetër drejtim.

Dy prej grave që i mbijetuan sulmit pranuan të uleshin në të njëjtën dhomë me një prej marinsave që kishte qëlluar.

Pikërisht kjo përballje njerëzore, e përzier me urrejte, dëshirë për hakmarrje dhe dhimbje është pika kulmore e filmit.

“Diçka tek ky grup personazhesh dhe tek mënyra se si historitë e tyre ndërthuren në mënyrë tragjike në vitin 2003 dhe, më shumë se një dekadë më vonë, në një mënyrë të çuditshme dhe të bukur në Glendale të Kalifornisë, më preku thellë. Ndoshta atëherë nuk mund ta përcaktoja se çfarë ishte ajo që më ngacmonte në brendësi. Por në fund, e realizon një film për të kuptuar pse po e bën”, tha regjisori Reed Van Dyk.

Në rolin e gazetarit Michael Reid është aktori Kenneth Branagh. Personazhi i tij bazohet te gazetari Dexter Filkins, autori i artikullit të vitit 2012 në revistën “The New Yorker”, mbi të cilin është bazuar filmi.

Hiam Abbass luan Mariam, nënën dhe bashkëshorten që humbi burrin dhe dy djemtë. Boyd Holbrook interpreton Lou D’Alessandro, ish-marinsin që kërkon të përballet me të kaluarën dhe të gjejë falje.

Emrat në film janë ndryshuar nga ata të personave realë.

Për Branagh, historia nuk është një tablo e gjerë e luftës, por një vështrim i ngushtë mbi pasojat emocionale të saj.

“Më dukej se historia kishte një fuqi të qetë, hipnotizuese. Ishte jashtëzakonisht bindëse. Dukej si një pjesë shumë individuale, e një konflikti të madh, por që të lejonte të kuptoje anën emocionale në një mënyrë tjetër. Dhe kjo aftësi e pazakontë e historisë për të bashkuar njerëz, jetët e të cilëve janë prekur thellësisht nga lufta m’u duk një akt jashtëzakonisht njerëzor dhe i guximshëm”, tha aktori Kenneth Branagh.

Por përtej dhimbjes së viktimave, filmi ndalet edhe te trauma e atij që ka shkaktuar vdekjen.

Pas kthimit nga Iraku, Lu Lobello, ish-marinsi mbi të cilin është bazuar personazhi i Holbrook, vuajti nga çrregullimi i stresit post-traumatik. Kujtimi i civilëve të vrarë nga njësia e tij e ndoqi për vite.

Në një moment, ai kërkoi ndihmën e gazetarit Dexter Filkins për të vendosur kontakt me familjen.

Familja pranoi të takohej me të. Dhe takimi u shndërrua në një përballje me kujtimet, fajin, dhimbjen dhe faljen.

“Ky plumb shkon në të dyja drejtimet dhe ju e shihni Lou-n duke u përballur me këtë. Dhe mendoj se gjithçka kthehet te guximi i tij për t’u futur në atë situatë, në vend që të largohej prej saj. Kush e di se çfarë tjetër mund të ishte shkatërruar në jetën e tij. Për mua është një këndvështrim shumë i veçantë, që nuk e kemi parë shpesh në kinema për këtë lloj teme”, tha aktori Boyd Holbrook.

“Atonement” përpiqet gjithashtu të ndryshojë mënyrën se si paraqiten personazhet irakiane në filmat për luftën e Irakut.

Regjisori Reed Van Dyk thotë se në shumë prej këtyre historive, irakianët shfaqen në sfond ose përmes këndvështrimit të ushtarëve amerikanë.

Në filmin e tij, ai vendos familjen dhe përvojën e saj në qendër.

“Personazhet irakiane, të paktën në filmat për luftën e Irakut, zakonisht shihen përmes dylbive të një snajperi ose në sfond. Për mua ishte shumë emocionuese të vendosja në qendër njerëzit që ishin prekur thellësisht nga kjo ngjarje dhe nga lufta në përgjithësi. Dhe do të thoja se ishte një nga gjërat që më tërhoqi më shumë drejt këtij filmi”, tha Van Dyk.

Për Hiam Abbass, roli i Mariam ishte një përballje me një grua që, pavarësisht humbjes dhe padrejtësisë, vendosi të falë.

Aktorja thotë se për të ishte e rëndësishme të përpiqej të kuptonte botën e brendshme të personazhit dhe jo thjesht tragjedinë që kishte përjetuar.

“U përpoqa ta vendosja veten në vendin e saj, diçka që, për fat të keq, shumë njerëz nuk e bëjnë. Sidomos ata që shkaktojnë luftëra. Zemërohem kur e them këtë. Pse duhet të kalojmë nëpër këtë? Pse duhet të vazhdojmë të jetojmë me këtë? Pse kjo përsëritet vazhdimisht dhe askush nuk po arrin të kuptojë se sa e keqe është për njerëzimin? Kjo grua ishte në gjendje të falte. Por imagjinoni sa njerëz në botë që kanë përjetuar situata të tilla nuk janë në gjendje të falin”, tha aktorja Hiam Abbass.

Filmi nuk e paraqet faljen si një si një zgjidhje përfundimtare.

“Ajo që më tërhoqi veçanërisht ishte pyetja se çfarë do të thotë të falësh pas gjithë kësaj. A është vërtet falje? Apo çfarë bën me pjesën tjetër, në mënyrë që ta bësh pjesë të udhëtimit tënd të ardhshëm? Pikërisht këtu u ndjeva shumë e tërhequr. Ishte diçka e re për t’u zbuluar, një mënyrë tjetër për të treguar një histori të padrejtësisë”, tha Abbass.

Dhe është pikërisht mungesa e një përgjigjeje të thjeshtë ajo që, sipas Kenneth Branagh, i jep filmit forcën e tij.

“Filmi është interpretuar dhe drejtuar pa gjykim. Dhe kështu, mbetesh me një ndërveprim të jashtëzakonshëm mes njerëzve në situata të pamundura, me përgjigje të vështira për t’u gjetur, nëse ato mund të gjenden. Por mënyra se si ata negociojnë dhe përpiqen të zgjidhun problemin e tyre është jashtëzakonisht interesante”, tha aktori Branagh.

“Atonement”  është një histori për humbjen, fajin, traumën dhe përpjekjen për të jetuar me atë që nuk mund të zhbëhet.

Filmi pati premierën e tij në Amerikën e Veriut në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto.

Klan News

/tvklan.al