Ish-zv/kryeministrja dhe ish-ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku i lë stafetën pasardhësit të saj në këtë post qeveritar, Enea Karakaçi. Gjatë fjalës së saj, Balluku bëri përmbledhjen e gjithë punëve të arritura në Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës, gjatë gjithë periudhës që ky dikaster ka qenë në drejtimin e saj.

“Më vjen keq është ndikuar qetësia juaj personale, e familjarëve tuaj dhe padyshim më vjen keq për ditët e muajt e humbur për proceset e rëndësishme që duhen çuar përpara. Detyra që Enea ka, është që me ju në krah, me një skuadër të jashtëzakonshme që kjo ministri ka, unë mendoj se ju do ta kapërceni do e kapërceni të gjithë këtë situatë, duke më lënë që të vazhdoj rrugëtimin tim politik dhe personal për të nxjerrë një të drejtë dhe një të vërtetë në dritë.

Kemi transformuar së bashku sektorin energjetik. Çdo ditë vetëm lajme të mira vijnë nga ai sektor. Një grusht njerëzish kanë arritur që të ndryshojnë katërçipërisht atë sektorin. Kemi arritur që të rritim ndjeshëm kapacitetet tona. Kemi arritur që të ngremë bursën e parë energjetike. Kemi arritur që të edukojmë qytetarët me efiçencën energjetike, i kemi bërë pjesë të politikave tona. Kemi kapërcyer situata të jashtëzakonshme të sigurisë energjetike si ajo e vitit 2002, e kemi kapërcyer dhe për herë të parë kemi ulur çmimin e energjisë elektrik.

Kemi krijuar një bazë të rëndësishme autoprodhuesish. Dhe jo është bërë falë jush. Kemi ndërtuar vepra të jashtëzakonshme, të cilat do të qëndrojnë aty dhe vitet do të kalojnë dhe ne do të jemi krenarë për atë që kemi arritur. Kemi ndërtuar rrugë e autostrada moderne, të të njëjta kategorive dhe cilësive europiane, kemi ndërtuar tunele që nuk do i shkatërrojë as pika e ujit që tashmë zë vend të gjitha portalet ku shiu fillon të bjerë. Asgjë nuk do të fshijë punën tuaj dhe atë që keni bërë deri më sot”, tha Balluku.

Kujtojmë se Belinda Balluku u shkarkua nga posti si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, pas ndryshimeve që kryeministri Edi Rama bëri në kabinetin e tij qeveritar. Ditën e djeshme u votuan në Kuvend edhe ndryshimet në qeveri.

Belinda Balluku u shkarkua me 85 vota pro nga posti i Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa Elisa Spiropali nga posti i Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme me 83 vota pro. Dekreti për shkarkimin e Pirro Vengut si Ministër i Mbrojtjes u miratua me 81 vota.

Ndërkohë, mëngjesin e kësaj të premteje, 6 mars, ministrat e rinj u betuar përpara Presidentit të Republikës Bajram Begaj. Albana Koçiu u emërua zv/kryeministre. Ferit Hoxha ministër për Europën dhe Punët e Jashtme. Toni Gogu u emërua ministër i Drejtësisë. Besfort Lamallari, Ministër i Brendshëm. Ermal Nufi u emërua ministër i Mbrojtjes. Enea Karakaçi, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Erjona Ismaili u emërua ministre Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin.

/tvklan.al