Pas një kohe të gjatë që ishte rritur, Banka e Shqipërisë ka vendosur të rishikojë normën bazë të interesit duke e ulur atë në 3% nga 3.25% që ishte më parë.

Ky vendim i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, u bë i ditur nga Guvernatori Gent Sejko.

Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë: Bazuar në analizat dhe konkluzionet e mësipërme Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e sotme vendosi të ulë me 0.25 pikë % normën bazë të interesit nga niveli 3.25% në nivelin e 3%. Gjithashtu të ulë me 0.25 pikë % normën e interesit të depozitës njëditore nga niveli 2.25% në nivelin e 2% dhe të ulë me 0.25 pikë përqindje normën e intersit të kredisë një ditorë nga niveli 4.25% në nivelin e 4%.

Guvernatori Sejko tregon dhe arsyet se përse u arrit në këtë vendimmarrje nga Banka e Shqipërisë.

Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë: Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo lëvizje është në kah të njëjtë me lehtësimin e qëndrimit të politikës monetare të ndërmarrë nga Banka Qendrore Evropiane në muajin Qershor, duke parandaluar pasoja të padëshirueshme që ky veprim mund të kishte në kursin e këmbimit.

Banka e Shqipërisë nënvizon se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit të saj të inflacionit.

Klan News