Në fokus, eficenca e energjisë dhe trajtimi i mbetjeve

Rreth 4 milionë dollarë ka investuar gjatë vitit të kaluar Kompania Bankers Petroleum Albania vetëm në përmirësimin e mjedisit në fushën e naftës së Patos-Marinzës. Sipas të dhënave zyrtare të prodhuesit më të madh në naftës në vend, investimet gjatë vitit 2023 janë fokusuar në eficencën e energjisë, trajtimin e mbetjeve hidrokarbure si dhe në uljen e ndjeshme të transportit me automjete përreth zonës operacionale.

“Gjatë vitit të kaluar norma jonë e konsumit të energjisë arriti në 0.62 gigaxhaul për ton prodhim duke shënuar një ndër përformancat më të mira pasi është thuajse gjysma e treguesit evropian të performancës mjedisore të përshkruar në raportin e fundit të Prodhuesit Ndërkombëtarë të Naftës dhe Gazit, i cili është 1.16 gigaxhaul për ton”, thotë në një deklaratë, Bankers Petrolium Albania.

Falë teknologjisë dhe rritjes së eficencës, kompania konfirmon se jo vetëm ka mundur të reduktojë koston e energjisë për çdo ton të prodhuar, por të ulë gjithashtu edhe gjurmën në mjedis. Që në fillimet e aktivitetit të saj në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, Bankers ka krijuar sisteme administrimi për mjedisin, shëndetin dhe sigurinë (HSE). Trajtimi i mbetjeve hidrokarbure dhe reduktimi i vazhdueshëm i transportit tokësor janë dy shtylla të tjera të rëndësishme në menaxhimin e standardit mjedisor në fushën e Patos-Marinzës.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht kompania ka çuar drejt 0 transportin e naftës me autobote ndërkohë që edhe transporti i mallrave dhe lëndëve të ndryshme të nevojshme për operacionet hidrokarbure është përgjysmuar që prej vitit 2015. Elementët e administrimit mjedisor të tillë si: përputhja me rregulloret dhe detyrimet, manaxhimi më i mirë i burimeve, reduktimi i mbetjeve dhe përmirësimi i performancës, janë vetëm disa nga përbërësit thelbësorë të sistemit të administrimit.

Tv Klan