Për shumë skuadra të mëdha, ndërprerjet e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve përbëjnë një problem më vete.

Por Barcelona e Hansi Flick duket se e ka kthyer këtë periudhë në një avantazh.

Pavarësisht mungesave të shumta në stërvitje, udhëtimeve të lojtarëve dhe ngarkesës fizike, katalanasit kanë treguar se dinë të rikthehen në fushë me të njëjtin ritëm dhe intensitet.

Që prej mbërritjes së trajnerit gjerman, Barcelona ka zhvilluar nëntë ndeshje pas pushimeve të kombëtareve, duke regjistruar tetë fitore dhe vetëm një barazim.

Një bilanc që e mban aktualisht në krye të klasifikimit, me 33 pikë. Mes rezultateve më të spikatura janë fitorja 6-0 ndaj Valencias, triumfi 4-0 kundër Athletic Bilbaos dhe suksesi 2-1 ndaj Atletico Madridit.

Shifra që dëshmojnë se Barcelona nuk e humbet ritmin, edhe kur një pjesë e madhe e lojtarëve largohet për angazhimet me përfaqësueset.

Por kjo nuk është një histori që nis vetëm me Hansi Flick. Edhe gjatë periudhave të Xavi Hernandez dhe Ronald Koeman në pankinë, katalanasit kanë ditur t’i përballojnë me sukses rikthimet nga pushimet ndërkombëtare.

Humbja e fundit e Barcelonës pas një ndërprerjeje të tillë daton më 14 shtator 2021, kur Bayern Munich triumfoi 3-0 në Camp Nou, në Champions League.

Tashmë, objektivi i radhës për Flick është të ruajë këtë traditë pozitive edhe në përballjen e ardhshme ndaj Villarrealit.

Klan News

/tvklan.al