Bashkia e Tiranës po vijon me ritme të shpejta punën për rehabilitimin e hapësirave mes pallateve në kryqëzimin e rrugëve “Kujtim Laro” dhe “Kongresi i Manastirit”. Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet në terren, ku ekipet po ndërhyjnë për transformimin e zonës

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: Këtu po bëjmë një investim që do ta rrisë jashtë mase vlerën e pronës. Njerëzit do rikthehen nga pushimet me një shtëpi që vlen të paktën 30-40% më shumë, vetëm prej faktit se do të ketë kanalizime, ndriçim LED, infrastrukturë, një ‘ishull’ për të moshuarit. Sigurisht, do të doja që të vijonim edhe me unifikimin e fasadave. Kush i ka pasur mundësitë, e ka bërë vetë tashmë.

Një ftesë, Veliaj e pati për të gjithë banorët e zonës, që të regjistrojnë fëmijët në çerdhet, kopshtet dhe shkollat pranë shtëpive të tyre.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: Duam që secili të shkojë te kopshti, çerdhja ose shkolla më e afërt. Tani që është hapur “Xhezmi Delli” do të duhet të shkojmë aty sepse në momentin që ne ngarkojmë një shkollë tjetër, atëherë do të kemi në mënyrë të paarsyeshme shkolla me dy turne, kurse shkolla ngjitur mbetet me klasa bosh. Do të respektojmë njësitë administrative, secili do të shkojë në shkollën më të afërt.

Projekti i Bashkisë së Tiranës për rehabilitimin e kësaj zone përmban krijimin e një sheshi, në të dyja anët do të realizohet një hapësirë e shtruar me pllaka që do të jetë e ndërthurur me gjelbërim.

Klan News