Punimet për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar mund të përfundojnë për një vit, nëse gjithçka ecën me ritëm të shpejtë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe një grup arkitektësh të kompanisë arkitekturore “Bjarke Ingels Group”, inspektuan kantierin duke theksuar se brenda vitit 2025 pritet të mbarojë ndërtimi i karabinasë së Teatrit.

“Kjo është një vepër e vërtetë arti! Pra, jo vetëm do të bëhet art brenda mureve, por vetë godina e Teatrit është një vepër arti, që do t’i mbesë qytetit për 100 vitet e ardhshme. Kur ajo kasollja që kishim zgjati për 80 vjet, imagjino kjo që po investohet për brezat e nipave dhe mbesave tanë. Është shumë e rëndësishme të bëjmë diçka me cilësi. Më vjen mirë që nuk kemi ceduar te cilësia, teksa shpejtojmë punimet. Ne presim që, deri në fund të Tetorit apo fillimi i Nëntorit, të kemi dalë në nivelin zero, që me hapjen e kohës, në pranverë, të punojmë pak më shumë në lartësi, në mënyrë që gjatë vitit tjetër të kemi përfunduar karabinanë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku tha se projekti transformues mori vlerësime edhe nga aktorët shqiptarë, ndërsa pati një mesazh edhe për kundërshtarët politikë.

“Kjo punë kështu është ndarë: disa do djegin dhe do shkatërrojnë, disa do krijojnë dhe do ndërtojnë. Ne jemi te skuadra që krijon dhe ndërton, disa kanë zgjedhur një skuadër tjetër që shkatërron dhe djeg, por demokracia kjo është. Për sa kohë që po e bëjmë teatrin aty ku ishte, por më të bukur, më të madh dhe më të fortë seç ishte, jemi të larë me historinë dhe me besimin që na kanë dhënë qytetarët e këtij qyteti fantastik”, përmbylli ai.

Ndërkaq, arkitektja e kompanisë BIG, Catherine Huang, tha se ndihet e nderuar që ka mundësinë të kontribuojë për një qytet të bukur siç është Tirana.

“Ndihem shumë e nderuar që punoj me njerëz të mrekullueshëm, në një mënyrë që na lejon të sigurohemi që cilësia të jetë më e larta. Ka një nivel të lartë inovacioni, kështu që ne jemi gjithashtu shumë të emocionuar që po punojmë së bashku duke krijuar zgjidhje. Ne mezi presim që të ndihmojmë për të ofruar një teatër me cilësinë më të lartë të hapësirës për Tiranën. Ndihemi shumë të nderuar që jemi pjesë e kësaj”, tha ajo.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Erion Veliaj vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me kompaninë e njohur daneze.

Tv Klan