Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punën për dezinfektimin e shkollës 9-vjeçare “Lasgush Poradeci”. Ku tha se çdo godinë arsimore është gati për nisjen e vitit të ri shkollor më 9 shtator.

“Bashkia e Tiranës mirëmban rreth 400 godina të shpërndara nga qendra në periferi, nga periferia në zonat periurbane dhe mandej, në të gjitha zonat rurale. Po kryejmë një proces pastrimi siç pastrohet një shtëpi para se të na vijnë miqtë; po ndërhyjmë në të gjitha territoret e shkollave tona, brenda dhe jashtë, para se të na vijnë miqtë e vegjël”, tha Veliaj.

Gjatë inspektimit të kësaj shkolle, kryebashkiaku Veliaj foli edhe për pastrimin e Tiranës, ku në javën e fundit është ngritur dhe shqetësim nga qytetarët pasi kontejnerët janë të tejmbushur dhe nuk pastrohen rregullisht. Sipas Veliaj pastrimin e Tiranës do ta marrë kompania publike Eco Tirana.

“Tirana është e ndarë në 5 zona: zona qendrore, dhe zonat në veri, jug, lindje dhe perëndim. Në një nga zonat, operatori privat ka lënë detyrën. Një detyrë, të cilën duhet ta linte në datën 1 Nëntor, siç e parashikon kontrata. Por, duke mos pasur interes që ta vazhdojë punën pas 1 Nëntorit, e ka lënë që tani. Duke lënë plehrat pa mbledhur, jashtë kushteve të kontratës, mendon se bën presion që Bashkia e Tiranës të mos e marrë zonën nën kontroll. Përkundrazi, na e ka shtuar zellin që bashkia ta marrë zonën nën kontroll edhe më përpara”, tha Veliaj.

Sipas Veliajt për shkeljen e kontratës të kompanisë private do t’i drejtohen Gjykatës Administrative, ndërsa lajmëroi edhe nisjen e një aksioni të madh pastrimi ku ftojë dhe qytetarët të marrin pjesë.

Klan News