Kryedemokrati Sali Berisha ka dalë në konferencë për mediet këtë të premte, 31 korrik, bashkë me deputetin Luçiano Boçi, sa i takon Reformës Territoriale. Siç e kemi raportuar më herët, mazhoranca dhe opozita kanë paraqitur alternativa krejtësisht të ndryshme sa i takon hartës së re me bashkitë dhe rajonet e vendit.

Teksa PS synon ‘shkrirjen’ e shumë bashkive, demokratët kanë një vizion për një Shqipëri me plot 100 bashki.

“Do të reduktojë bashkitë në vendin më malor të Europës, ta përqendrojë në pëllëmbën e tij të zezë të dorës, për qëllime shpopullimi e pasurimi”, theksoi Berisha, duke hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama.

Nuk la pa përshëndetur banorët e Poliçanit, duke i quajtur “patriotë të vërtetë”.

“Reforma që u përdor në vitin 2014, që solli nga 410 njësi vendore, bashki dhe komuna të marra së bashku, gjithsej 61 bashki apo njësi të qeverisjes vendore, ishte goditja më e rëndë që ajo që mund ta quajmë Shqipëria rurale, mori, dhe në tërësi Shqipëria, pasi pa Shqipëri rurale të zhvilluar nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar. Mbi 45 përqind e popullatës humbi shërbimet, humbi qeverisjen direkte me njerëz të zgjedhur prej saj. Humbi të gjithë perspektivën e jetesës në komunat ku jetonin. Koha për Shqipërinë rurale ndaloi”, deklaroi ai.

Ai akuzoi socialistët se po tentojnë të bëjnë një reformë territoriale të njëanshme, duke ulur numrin e bashkive pa një konsultim të plotë me komunitetet. Sipas tij, Rama e ka kuptuar se kjo reformë ka hasur kundërshtime të forta dhe se sugjerimet e opozitës kanë gjetur mbështetje gjatë konsultimeve.