Qytetarët e Poliçanit kanë dalë mbrëmjen e sotme, 30 korrik, në protestë kundër Reformës Territoriale, e cila parashikon fshirjen e Poliçanit nga harta e bashkive.
Me pankarta në duar ku shkruhej: “Poliçani nuk preket”, “Mos na vrisni të ardhmen”, “Haram i paçi votat e Poliçanit”, “Deputetë dele, mos e votoni reformën” etj., banorët u mblodhën në sheshin përpara kinemasë së qytetit, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj ndryshimeve të propozuara.
Ata i kanë kërkuar njëzëri qeverisë që të mos e prekë bashkinë e Poliçanit, e cila sipas tyre është votuar prej vitesh nga qytetarët. Banorët kanë deklaruar se qyteti nuk duhet të preket, pasi sipas tyre në lojë është e ardhmja e tyre dhe e fëmijëve të tyre.
Kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari, ka dhënë dorëheqjen publike nga kjo forcë politike gjatë protestës, duke deklaruar se vendimi i qeverisë për Poliçanin është një padrejtësi dhe një turp i madh.
Në shenjë indinjate ndaj këtij vendimi, qytetarët e Poliçanit kanë djegur në shesh teserat e Partisë Socialiste.
Gjatë protestës, banorët kanë firmosur edhe një peticion për të kërkuar që bashkia e Poliçanit të mos preket nga Reforma Territoriale.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 