Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbajtur një konferencë për mediat sot më 3 nëntor.

Foli për protestat e studentëve, që e quajti më të madhen ndonjëherë. Njoftoi se protesta e radhës kombëtare do të mbahet të shtunën.

“Revolta e studentëve dhe e gjimnazistëve të Tiranës është kthyer në shpresën e mbarë shqiptarëve. E shtuna është dita që fton çdo shqiptar që të rreshtohet përkrah tyre, përkrah bijve dhe bijave të vendit, përkrah guximtarëve, që po bëjnë atë që duhet ta bëjnë qytetarët. Përballë tyre, këta të rinj kanë një kufomë politike si Rama.

Ftoj demokratët dhe qytetarët që të shtunën të bashkohemi. Shqiptarët e të gjitha bindjeve duhet të bashkohen kundër kësaj të keqe të madhe, që quhet Edi Rama. Ky bastard po shpalos përditë psikologjinë çnjerëzore të të parëve të tij, po shpalos përditë urrejtjen për kundërshtarët politikë dhe urrejtjen për qytetarët e thjeshtë”, tha Berisha.

Komentoi edhe letrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nga burgu i Fierit. Berisha deklaroi se Rama e dëshmnoi veten se është një xhelat si i ati. Sipas tij, Rama është gati që të bëjë gjithçka kundër Veliajt, vetëm nga fakti se ka frikë se mund të humbasë Bashkinë e Tiranës.

“Veliaj shkroi një letër, ku kërcënohej hapur. Kjo dëshmon se Rama po kthehet në një xhelat si babai i tij, një xhelat si Kristaqi. Rama po tregon se e do diktaturën, ku ai të jetë kryexhelati. Veliaj u kërcëunua me 100 vite burg. Nuk ka dyshim që Rama me atë transferim, është gati që të ndërmarrë çdo akt ndaj Erion Veliajt, nga frika se do të humbasë Bashkinë e Tiranës. Edi Rama e them që nuk bën zgjedhje. Por bashkimi i të gjitha forcave opozitare është e vetmja rrugë për t’u përballur me narko-diktatorët. Ky është qëndrimi ynë, jemi të hapur për bashkëpunim”, deklaroi Berisha.

Duke folur për zgjedhjet lokale, e quajti presidentin Begaj, një “noter të Padrinos”.

“Begaj është kthyer në një noter, një noter të Padrinos. Ai degradoi institucionin më të lartë, Presidencën e Republikës së Shqipërisë. Edi Rama ka sot më shumë pushtet sesa diktatori.

Kjo tregon se institucionet janë thjesht vegla e instrumente të tij.

Në lidhje me kandidatët e PD-së për zgjedhjet lokale, emrat do të jenë gati sa më parë. Për përzgjedhjet, do të ketë diskutime në Partinë Demokratike”, tha Berisha.

/tvklan.al