Në kushtet kur qeveria po hesht për minimumin jetik ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që të merret në shqyrtim nisma e tij e depozituar 12 ditë më parë në Kuvend për përcaktimin e minimumit jetik prej 200 Euro për personat në nevojë, pensionistët, por dhe studentët. Sipas tij, kjo shifër është sa ¼ e asaj që japin shtetet e BE-se ku minimumit jetik është 840 Euro.
“Avokati i popullit e ka përllogaritur këtë minimum jetik rreth 200 Euro. Sot minimumi jetik mesatar në BE është 840 Euro, pra është llogaritur 1 e 4 ndërkohë që duhet të jemi të vërtetë, çmimet e ushqimeve bazë në Shqipëri janë të njëjta dhe në disa artikuj edhe më të kushtueshëm sesa në mesataren e BE-së”, tha Berisha.
Berisha komentoi edhe projektligjin e miratuar nga qeveria për përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore.
“Kjo është shpallja e Republikës së kanabisit. Është akti i fundit publik i tij. E kanë quajtur të tjerë Kolumbi e Europës, e kanë quajtur kanabistan. Tani nuk ka nevojë më ta quajnë Kolumbia e Europës, por Republika e kanabisit e Shqipërisë”, tha ai.
Berisha shtyu për një rast tjetër komentin për videon erotike të ish-kryebashkiakut socialist të Kukësit, Safet Gjici.
“Nuk është faji im nëse për ju janë kaq atraktive temat erotike, por nuk kam ndërmend të komunikoj sot për to. Një herë tjetër po”, tha Berisha.
Sipas Berishës, qeveria Rama ndërton punë publike me kosto 8 herë më shtrenjtë sesa shtetet e BE-së. Nga 7,2 milionë turistë sipas tij vendi ka përfituar gjithsej vetëm 8 milionë Euro.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
