Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në konferencën e mbajtur sot më 8 nëntor përmendi sërish progres-raportin për Shqipërinë.

Berisha shprehet se progres-raporti e damkos vendin tonë si një narko-shtet.

“Java ishte tejet e trishtë për narkoregjimin e Padrinos së Shqipërisë. Raporti i Komisionit Europian që është dhe raporti më i rëndësishëm për procesin më kryesor të Shqipërisë, avancimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian, këtë vit ishte si asnjë vit më parë.

Këtë vit raporti pasqyronte në tërësi në aspekte tërësore realitetin dramatik të Shqipërisë. Në raport, në çdo rresht, në çdo paragraf, Padrino dhe organizata e tij kriminale merrnin nga një damkë të zezë.

Sipas raportit, zgjedhjet nuk plotësuan kriterin më themelor ndërkombëtar të zgjedhjeve të lira, barazinë e palëve në garë dhe u ndërthurën me ndikime nga më të ndryshmet.

Raporti denoncon Edi Ramën dhe parlamentin për bllokimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Berisha.

Më tej, Berisha theksoi se kryeministri Rama është kthyer në një “kufomë politike”, nga goditja që ka marrë nga revolta studentore.

Sipas tij, Partia Demokratike nuk është ndalur e nuk do të ndalet së organizuari protesta kombëtare në mbështetje të studentëve.

“Ndërkohë, revolta studentore ka vazhduar e fuqishme.

Partia Demokratike ka organizuar dhe organizon përsëri protesta kombëtare në mbështetje të studentëve dhe mund të them se goditjet që ka marrë Edi Rama nga revolta studentore e kanë bërë atë një kufomë politike krejtësisht të pashpresë, e kanë damkosur para shqiptarëve dhe mbarë botës”, u shpreh Berisha.

I pyetur për përplasjet brenda disa grupeve në protestë, Berisha deklaroi se nuk ka asnjë përçarje.

Kreu demokrat u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, që të bashkohen në protestat kundër qeverisë, për të cilën tha se është e korruptuar deri në palcë.

“Asnjë incident nuk pati nga studentët. Zero incidente. Ne jemi forcë politike. Ne përdorim ato instrumente që kemi. Dhe kur ne bëjmë thirrje, nuk shkojmë kurrë për të postuar, jo, ne shkojmë për të mbështetur dhe për të mbrojtur, po.

Dhe unë them se këtë detyrë e kemi bërë më shumë se asnjë forcë tjetër politike.

Ndaj dhe edhe njëherë shfrytëzoj rastin të bëj thirrje për bashkim, të bashkohemi në mbështetje të revoltës studentore.

Ata që mendojnë se protesta është e tyre, ata përsërisin në mënyrë të pavetëdijshme, në një formë apo një tjetër, kufizimin e të drejtës për protestë. Askush s’mund t’i kufizojë tjetrit të drejtën e protestës. Kjo është e paimagjinueshme”, deklaroi Berisha.

I pyetur nëse PD është gati të dalë në zgjedhjet lokale me kandidatë të përbashkët, Berisha nënvizoi se Partia Demokratike është e hapur për të bërë kompromise.

Sipas Berishës, fronti opozitar duhet të jetë i bashkuar, ku synimi kryesor të jetë rrëzimi i kryeministrit Rama nga pushteti.

“Partia Demokratike është e sinqertë, është e hapur dhe absolutisht e gatshme për kompromise dhe ujdi me këto forca politike për kandidatë të përbashkët në mbarë vendin dhe për një betejë të përbashkët në rrëzimin e Edi Ramës në Tiranë dhe kudo në Shqipëri.

Dhe unë prapë shfrytëzoj këtë moment, t’u bëj thirrje drejtuesve të këtyre partive të lënë me një anë kundërshtitë dhe të bashkohemi për të shpëtuar Shqipërinë nga një e keqe e madhe që s’e ka pasur ndonjëherë. Çdo hezitim shkon në favor të Edi Ramës”, tha kryetari demokrat.

Berisha vlerësoi se ajo që ndodhi në Serbi me përmbysjen e Vuçiçit nuk ka lidhje me atë që ndodh në Shqipëri.

Për të, paralelja me skenarin serb nuk ekziston. Ndërsa, shtoi se studentët kanë të drejtë të hapin një parti politike të tyren.

“A ka ngjashmëri me skenarin serb, në qoftë se e duan një këshillë miqësore paraprake? Jo, absolutisht!  Thjesht miqësore, unë u them se nuk ka ngjashmëri. Skenari serb, siç e dini, është skenar i udhëhequr i tëri nga infrastruktura shtetërore e universiteteve të Serbisë.

Me në krye rektorin e Beogradit, me në krye të gjithë dekanët, pra ishte bota akademike zyrtare shtetërore serbe që udhëhoqi lëvizjen e studentëve.  Së dyti, skenari serb ishte një skenar që u zhvillua në dy vite, në 700 e sa ditë.

Së treti, lista studentore në Serbi përballej me një numër prej 30 e sa partish opozitare të vockla që shkonin maksimumi mos gabohem gjer në 7-8%. Pra, nuk kishte në Serbi një parti opozitare siç është Partia Demokratike.

Ndaj dhe ajo që u sugjeroj të gjithë atyre, ata kanë shumë të drejtë të ndërmarrin çdo hap, vetëm të mos besojnë në atë që nuk është reale”, përmbylli Berisha.

/tvklan.al