“Së bashku ia dalim, u qëndroni besnikë idealeve”

Ndonëse në kushte të vështira atmosferike, dhjetëra demokratë protestuan sërish mbrëmjen e së dielës kundër arrestimit të liderit të opozitës Sali Berisha. Teksa u shprehu mirënjohje për sakrificën që po bëjnë me qëndresën e tyre, Berisha në fjalën e tij nga dritarja e shtëpisë theksoi se opozita është në një betejë pa kthim me qeverinë dhe kryeministrin Rama.

“Sonte në shi, në kushte të vështira ju dëshmuat se nuk ka asnjë pengesë para jush, në kthesën tuaj, në një betejë pa kthim kundër të keqes së madhe që po rrënon çdo ditë qenien e kombit dhe që quhet, Edi Rama dhe regjimi i tij”.

Më tej ai nënvizoi se ishte pikërisht vendosmëria e opozitës për t’u ngritur në këmbë dhe për të denoncuar një sërë aferash korruptive, ajo, që sipas tij, detyroi kryeministrin Rama të reagojë në mënyrën më të ashpër ndaj opozitës.

“Atëherë Edi Rama vendosi të kalojë na masa ekstreme, të akuzojë Sali Berishën për korrupsion sepse dhëndri i tij ka marrë 410 metër tokë të trashëguar nga familja, mes 1 miliardë e 577 milionë e 400 mijë metra katrorë që morën mbi 510 mijë shqiptarë”.

Por që aksioni opozitar të jetë i suksesshëm ai u kërkoi demokratëve që të vrasin frikën dhe të bashkohen me çdo qytetar.

“Unë u bëj thirrje këtu para jush, mbarë që duan lirinë; mos harroni kurrë se liria e tradhtuar është liri e pamerituar. Ndaj dhe qëndroni besnik idealeve tuaja. Luftoni për liritë tuaja, dinjitetin tuaj, se së bashku ne ia dalim”.

Një thirrje në fjalën e tij e pati edhe për studentët të cilëve u kërkoi të ngrihen dhe të marrin kthesën e madhe për të përmbysur pushtetin e Edi Ramës që ai e cilësoi si diktaturë.

Tv Klan