Mijëra besimtarë u mblodhën në Bazilikën e Santa Maria Maggiore për të bërë homazhe për Papa Françeskun, i cili u varros ditën e Shtunë. Bazilika u hap në orën 07:00 të së Dielës ku shumë familje, grupe pelegrinësh u mblodhën për të bërë nderime për Atin e Shenjtë.
“Nuk di çfarë të them, është një varr i thjeshtë që na kujton një person kaq të madh. Ne ndaluam këtu për të kujtuar Papën i cili ishte kaq i rëndësishëm për Kishën, dhe gjithashtu për secilin prej nesh.”
Varri prej mermeri ligurian ka vetëm emrin e tij në latinisht “Franciscus”, ndërsa mbi të ishte vendosur edhe një trëndafil i bardhë. Një riprodhim i kryqit të thjeshtë, të hekurt që ai mbante në qafë, varet mbi pllakën e mermerit duke pasqyruar dëshirën e tij për përulësi edhe në vdekje.
Trupi i Papës së ndjerë u dërgua në Bazilikën e Shën Marisë Maggiore, të Shtunën pas ceremonisë së varrimit në Sheshin e Shën Pjetrit, ku morën pjesë më shumë se 250,000 njerëz. Makina që mbante arkivolin përshkroi zemrën e Romës, duke lejuar banorët, pelegrinët dhe turistët t’i japin lamtumirën e fundit Papës që erdhi “nga fundi i botës”.
Ndërkaq në Vatikan u mblodhën këtë të Dielë rreth 200,000 njerëz për një meshë për të kujtuar Papa Françeskun e ndjerë një ditë pas funeralit të tij. Fëmijë dhe adoleshentë kanë ardhur nga të gjitha dioqezat e Italisë, nga Evropa, nga Shtetet e Bashkuara në Amerika Latine, nga Afrika në Azi, nga Emiratet e Bashkuara Arabe etj. Kapaciteti maksimal u arrit në zonën e Shën Pjetrit, raportojnë mediat. Rasti përkon me Jubileun e Adoleshentëve. Kardinali Pietro Parolin kryesoi ceremoninë, e cila shënoi ditën e dytë të quajtur ‘Novendiali’, 9 ditët e lutjes që tradicionalisht pasojnë vdekjen e Papës.
Tanimë pas vdekjes së Papa Françeskut kardinalët nga e gjithë bota zbresin në Romë ku zhvillojnë takime të përditshme të njohura si kongregacione të për të diskutuar çështjet e Kishës dhe për të paraqitur karakteristikat që secili beson se duhet t’i ketë papa i ri. Kardinalët e moshës 80 vjeç e lart mund të marrin pjesë në kongregacion, por nuk lejohen të hyjnë në konklavë për të zgjedhur Papën e ardhshëm.
Tradicionalisht, periudha e zisë zgjat 15 ditë dhe më pas fillon konklava. Konklava edhe kësaj here do të mbahet në Kapelën Sistine. Kur konklava zgjedhën një papë, ai pyetet nëse pranon dhe cilin emër dëshiron të marrë. Nëse refuzon, procedura fillon nga e para. Bota do ta kuptojë zgjedhjen e Papës së ri kur nga oxhaku i Kapelës Sistene del tymi i bardhë.
Klan News