Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri vlerëson hapin e qeverisë për të mos rritur tatim-fitimin e korporatave në Paketën Fiskale 2027.

Përmes një deklarate publike, biznesi gjerman mirëpret uljen e TVSH-së për ushqimet bazë dhe lehtësimin e tatimit mbi të ardhurat e shtresës së mesme.

Njëkohësisht, DIHA e konsideron mjaft pozitive heqjen e dorëzimit të dyfishtë të pasqyrave financiare për uljen e burokracisë.

“Ndryshime të kësaj natyre dhe përmase, të cilat parashikohet të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027, do të përfitonin nga një proces konsultimi i hershëm dhe transparent, duke u dhënë mundësi palëve të interesuara të paraqesin propozimet e tyre dhe bizneseve kohën e nevojshme për të përshtatur kontratat, sistemet, buxhetet dhe planet e investimit. Një kuadër tatimor i parashikueshëm mbetet një nga faktorët kryesorë që investitorët gjermanë dhe të huaj marrin në konsideratë kur vendosin se ku të investojnë”, thuhet në njoftimin e Shoqatës gjermane të Industrisë dhe Tregtisë.  

Nga ana tjetër, DIHA shpreh shqetësimin se lehtësimet sociale po financohen përmes rritjes së taksave mbi biznesin dhe konsumin.

Rritja e tatimit mbi dividendët dhe e normës standarde të TVSH-së mund të zbehë atraktivitetin e investimeve në Shqipëri.

“Rritja e tatimit mbi dividendët ul atraktivitetin e investimeve në kapital në Shqipëri dhe mund të dobësojë pozicionin e vendit në raport me rajonin. Si alternativë ndaj rritjes së normës standarde të TVSH-së në 21%, DIHA i propozon Qeverisë të shqyrtojë mundësinë e aplikimit të një norme të reduktuar të TVSH-së për energjinë elektrike, kjo do të sillte përfitime të drejtpërdrejta për familjet dhe do të ulte kostot e energjisë për bizneset”, njofton DIHA.

DIHA konfirmon gatishmërinë për të dhënë ekspertizën e saj, duke kërkuar zgjidhje që garantojnë financa të shëndosha publike pa cenuar konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare.

/tvklan.al