Blake Lively është përpjekur të tërheqë dy prej akuzave ndaj Justin Baldoni.

Sipas Variety, aktorja po përpiqet të tërheqë akuzat për shkaktim të qëllimshëm të stresit emocional dhe shkaktim neglizhent të tij. Ky hap i saj vjen pas kërkesës së ekipit të Baldoni për publikimin e të dhënave mjekësore të saj si kundërakuzë ndaj pretendimeve të Blake se përjetoi “shqetësim emocional dhe dhimbje të fortë, poshtërim, turpërim, përçmim, frustrim dhe ankth mendor”.

Përpjekja e saj për tërheqjen e akuzave u pasyqrua nga një kërkesë e avokatëve të Baldoni që po përpiqen ta detyrojnë aktoren të firmosë një dokument që u lejon atyre hyrjen në shënimet e terapistit dhe informacioneve të tjera që lidhen me çështjen.

Do të jetë gjykata ajo që do të vendosë për tërheqjen e akuzave ose do të detyrojë Lively të dorëzojë informacionet që lidhen me shëndetin e saj mendor.

Avokatët e Lively thanë Variety se lëvizja e Baldoni ishte “një manovër për publicitet” dhe se mbrojtja e saj po “thjeshtonte dhe përqendronte” çështjen. Më pas shtuan se kjo “i ka ekspozuar ata ndaj pretendimeve të reja për dëmshpërblime të zgjeruara sipas ligjit të Kalifornisë, duke bërë të panevojshme disa nga pretendimet fillestare të Lively”.

Sipas tyre, ajo  vazhdon ta akuzojë për “dëm emocional, si pjesë e shumë pretendimeve të tjera në padinë e saj, të tilla si ngacmim seksual, hakmarrje dhe dëmshpërblime të mëdha shtesë për të gjitha pretendimet e saj.”

Në janar të këtij viti, Baldoni kundërakuzoi Blake dhe bashkëshortin e saj, Ryan Reynold për zhvatje, njollosje imazhi dhe shkelje të privatësisë. Beteja ligjore mes dy yjeve të “It  Ends With Us” nisi pas publikimit të filmit.

Muajin e shkuar, edhe Taylor Swift, e cila  është mikeshë e ngushtë e aktores, u thirr në gjykatë sepse u përfol se ajo kishte nxitur Baldoni që të pranonte skenarin e Lively. Përfaqësuesit e këngëtares thanë se  “ajo s’kishte gisht në vendime të lidhura me kastin apo krijimin” dhe “s’ka parë kurrë një ndryshim apo të linte shënime për filmin”.

Thirrja në gjyq u rrëzua rreth dy javë më vonë pas kundërshtimit të ekipit ligjor të Swift./tvklan.al