Ndryshe nga sa bënë në komisionin e reformës territoriale, opozita u bë pjesë e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.
Por prezenca e tyre nuk u përkthye në bashkëpunim mes dy palëve për reformën që është vendosur si kusht nga Brukseli për të qenë me çdo kusht konsensuale.
Demokratët ashtu siç kërkuan dhe përpara nisjes së mbledhjes, këmbëngulën të hiqej nga rendi i ditës i diskutimit për rishikim në ligjin zgjedhor pas ndryshimeve që ju bën hartës territoriale që ata e cilësojnë antikushtetuese, edhe pse socialistët e justifikuan urgjencën me nevojën për të adresuar ndërhyrjet e imponuara për zhvillimin e zgjedhjeve lokale në 9 maj.
Bylykbashi kërkon që prioritet të jetë ndryshimi i sistemit zgjedhor siç e kërkojnë dhe protestuesit. E disa prej ndryshimeve që demokratët propozojnë lidhen dhe me zgjedhjet lokale si lista të hapura për këshilltarët bashkiak por dhe balotazh nëse kandidatët për kryebashkiak nuk marrin 50 plus 1 përqind të votave.
Socialisti Gjiknuri që është i sigurtë se demokratët po bllokojnë reformën zgjedhore duke bërë kalkulime politike i kujton se të gjitha ndryshimet që propozojnë kërkojnë konsensus gjë të cilën po kërkon dhe shumica.
Por demokratët përdorën të drejtën e vetos gjë që e pamundësoi vijimin e mbledhjes.
Në oborrin e kryesisë së kuvendit demokratët ripërsëritën qëndrimin e tyre ndërkohë që kryetari i grupit parlamentar socialistë menjëherë pas tyre bëri të qartë se rekomandimet e ODIHR nuk mund të mbahen penge.
/tvklan.al












Botërori 2026 