Këtë të hënë, 9 nëntor, u mbajt mbledhja e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. PD, e cila deri më tani ka bojkotuar të gjitha komisionet, vendosi që të marrë pjesë, me kushtin e ndryshimit të rendit të ditës, për të diskutuar ndarjen e shtetit nga partia, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, komisionit te Venecias dhe standardeve të Bashkimit Europian.
Bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri, thotë që prioritet i komisionit është ndryshimi i elementëve teknikë të pazbatueshëm në zgjedhje të evidentuara nga raportet e ndërkombëtarëve. Gjiknuri i rikujton opozitës marrëveshjen, që sipas tij është shtruar në tryezë, qoftë për ndryshimet kushtetuese, për uljen e numrit të deputetëve në Kuvend, në 101.
“Opozita nuk ka ardhur me propozime me kufizimet që kërkohen nga ndarja e pushtetit nga shteti. Ju e dini që afati i këtij komisioni është data 30 nëntor dhe ne rrezikojmë këtë komision. Kjo është veto bllokuese që vë në pikëpyetje ecurinë e këtij procesi. Jemi te fakti që ky komision po bllokohet për shkak të mosvullnetit të opozitës. Ne paketat i kemi gati. Unë e kam hedhur një kompromis në tavolinë dhe ka qenë kompromis i dakordësuar politikisht, të paktën në pikëpamjen tonë, për të hapur një rrugë edhe për sistemin zgjedhor. Kemi thënë: nëse ne do të duam të ndryshojmë sistemin zgjedhor, përfshirë edhe variantin e një sistemi proporcional, duhet të adresojmë njëkohësisht dhe numrin e mandateve të deputetëve. Pra, oferta jonë ka qenë në tavolinë. Zotëria përballë e di, zoti Bylykbashi e di. Nëse doni t’i hyjmë asaj çështjeje, le të diskutojmë për shkurtimin e numrit të deputetëve dhe le të mendojmë për sistem proporcional kombëtar. Në qoftë se ju jeni të gatshëm të bëjmë një komision të reformës kushtetuese, qoftë dhe me këtë fokus, që është fokusi vetëm për çështjen e sistemit zgjedhor dhe të përfaqësimit. Këto janë gjëra që i përcakton Kushtetuta.”
Ai akuzoi opozitën se po pengon procesin, duke theksuar se deri më tani nuk ka paraqitur propozime konkrete. Sipas tij, koha në dispozicion është e kufizuar dhe ekziston rreziku që objektivat e komisionit të mos realizohen brenda afateve të përcaktuara.
Gjiknuri deklaroi se komisioni duhet të fokusohet te çështjet prioritare, ndërsa kërkoi që deri në muajin dhjetor të jetë përcaktuar formula e re, duke përfshirë edhe diskutimet për ndarjen e re administrative-territoriale të vendit.
Ai paralajmëroi se afati i punës së komisionit përfundon më 30 nëntor dhe se mungesa e dakordësisë politike rrezikon ecurinë e procesit.
“Kërkoi ndryshimin e rendit të ditës. Opozita nuk ka sjellë propozime konkrete. Koha po ecën dhe ky objektiv nuk po realizohet. I vetmi komision që në çdo kohë bllokohet. Jemi para një fakti që puna e komisionit është bërë e vështirë. Ka pasur kundërshti nga ana e opozitës me ndryshimin e një pike të rendit të ditës. Opozita po e vështirëson punën, koha nuk është në favorin tonë. Pra, kjo është një ngjarje e re që dikton një ndërhyrje të shpejtë. Qëllimi është që të mos ndryshohet sistemi zgjedhor. Opozita po e vështirëson punën, koha nuk është në favorin tonë. Lindi kjo nevojë, e cila nuk është e njëanshme. Është e rëndësishme që ne e kemi hedhur këtë ide, për ndarjen e re administrative të territorit shqiptar. Duhet të kemi formulën e re, brenda dhjetorit.”
Bylykbashki tha se prioritet i Komisionit, por dhe i qytetarëve, është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe se PD ka gati paketën për ndarjen e shtetit nga partitë që i përgjigjet raportimeve të OSBE-ODIHR që do ta paraqesë në momentin që mazoranca do të bjerë dakord për ta shqyrtuar.
“Mazhoranca ka braktisur zgjedhjen e shkeljeve të rënda që ka konstatuar ODIHR-i, Këshilli i Evropës në raportet e tyre. Jemi përballë konsumit të kohës me çështje që nuk janë as prioritet dhe as nuk zgjidhin problemet për zgjedhjet e datës 9 maj.
Ligji i financimit është çështja e fundit dhe jo prioritare e këtij komisioni. Do të fillojë të zbatohet më 10 maj e tutje. Nuk është prioritet që kërkon BE-ja dhe ODIHR-i. Propozimi i opozitës ishte i qartë: shtruam për zgjidhje ndarjen e shtetit nga partia, që shkatërron shanset e barabarta për garë dhe lirinë e zgjedhësve në zgjedhje nga presioni i shtetit. Ky është prioriteti që ka OSBE-ODIHR-i në rekomandime dhe e kërkojmë edhe ne si opozitë.
Deri më sot nuk ka pasur asnjë angazhim, ndërkohë që PD-ja dhe opozita e kanë gati paketën dhe, kur komisioni të hyjë në binarët e shqyrtimit normal, ne do të dorëzojmë paketën e ndryshimeve sa i përket ndarjes së shtetit nga partia në procesin zgjedhor. I njëjti sistem proporcional në nivel bashkie, me lista të hapura, jo me lista të mbyllura siç është sot. Lista të hapura si për këshillat bashkiakë, ashtu edhe për Parlamentin”, tha ndër të tjera Bylykbashi.
/tvklan.al












Botërori 2026 
