30 korrik 2026- Këshilli i Ministrave ka miratuar projekt-aktin ligjor që pritet t’i hapë rrugë dërgimit të përfaqësuesve shqiptarë në misionin ndërkombëtar në Gaza.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i cili tha se projektakti do t’i kalojë Kuvendit për miratim, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
Sipas ministrit, Republika e Shqipërisë do të ketë fillimisht një përfaqësi me 4 oficerë të shtabit në Gaza.
Ai shtoi se në një fazë të mëvonshme do të vlerësohet niveli konkret i angazhimit të trupave shqiptare që mund të dërgohen në Gaza, si dhe vendndodhjet ku ato do të dislokohen.
“Është miratuar projekt-akti ligjor për të vajtur në Kuvend për miratimin e misionit tonë në Gaza, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, Republika e Shqipërisë do ketë një përfaqësi në Gaza, duke filluar fillimisht me 4 oficerë të shtabi. Ky do jetë angazhimi i Shqipërisë me vajtjen e këtyre oficerëve të shtabi në Forcën Ndërkombëtarë Stabilizuese, do vlerësohet më pas, edhe kush do jetë niveli konkret i trupave që do dërgohen në Gaza, duke përfshirë këtu edhe vendndodhjen konkrete ku këto trupa do të dislokohen”, tha ai.
Qeveria i jep dritën jeshile shpërblimit për zjarrfikësit dhe forcave të angazhuara kundër zjarreve
Ministri i Mbrojtjes bëri të ditur se është miratuar një vendim i Këshillit të Ministrave për shpërblimin e zjarrfikësve dhe të gjitha forcave të angazhuara në menaxhimin e situatës së zjarreve.
Ai tha se vendimi vjen në zbatim të premtimit të bërë publikisht nga kryeministri Edi Rama për të shpërblyer punonjësit dhe strukturat, që përfshihen në përballimin e emergjencave të shkaktuara nga zjarret.
Ministri vlerësoi gjithashtu menaxhimin e situatës, duke deklaruar se përballimi i zjarreve është bërë në mënyrë të mirë nga strukturat përgjegjëse.
“Tjetra lidhet me mbajtjen e premtimit të kryeministrit thënë publikisht në lidhje me shpërblim e FA-së dhe të gjithë forcat e angazhuar në situatën e zjarreve, sot është miratuar VKM, i cili autorizon njësitë e pushtetit vendor, që të japin shpërblime për zjarrfikësit që janë pranë tyre si dhe ka miratuar shpërblime për trupat dhe forcat që janë angazhuar për situatën e zjarreve. Situata e zjarreve është menaxhuar në mënyrë shumë të mirë”, theksoi ai.
Ministri Nufi u pyet nga mediat mbi vendimin e PD-së, e cila njoftoi se do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e Shqipërisë me SHBA-të për blerjen e pajisjeve ushtarake.
Ai theksoi se qëndrimi i PD është i papranueshëm dhe se një çështje e sigurisë kombëtare, nuk mund të politizohet pasi nuk i shërben askujt.
Gjatë fjalës së tij, ministri Nufi u shpreh se ratifikimi i marrëveshjes nuk është në shkelje të Kushtetuetës, siç pretendon Partia Demokratike.
“Qëndrimet e PD janë të papranueshme në raport me këtë marrëveshje. Siguria kombëtare nuk është çështje debati politik. Ky nuk është sinjal i mirë, të atakohet një marrëveshje që financon mbrojtjen. Kjo është e papranueshme. Nuk duhet të ketë krah politik, mesazhi që çojmë është shumë i gabuar. Raporti jonë me SHBA-të, tregon se Shqipëria është aleat i besueshëm.
Nuk është në shkelje të Kushtetutës. Mënyra si është diskutuar, anëtarët e komisionit të ekonomisë dhe sigurisë kanë pasur mundësi ta lexojnë në Kuvend. I është dhënë koha e mjaftueshme pas miratimit të procedurës së përshpejtuar që të shqyrtohej dhe të lexohej“, tha Nufi.
/tvklan.al












Botërori 2026 