Humbjet në Botërorin 2026 trondisin stolat e kombëtareve pjesëmarrëse. Eliminimet kanë marrë tashmë fajtorët, me trajnerët që po paguajnë çmimin e dështimeve në turneun më të rëndësishëm të futbollit.

Pas zhgënjimit të Kroacisë, e cila u eliminua nga Botërori pas humbjes ndaj Portugalisë, Zlatko Daliç ka njoftuar dorëheqjen, duke i dhënë fund një epoke nëntëvjeçare në krye të përfaqësueses kroate.

Largimi i Daliç shënon fundin e një prej kapitujve më të suksesshëm në historinë e futbollit kroat.

Nën drejtimin e tij, Kroacia arriti në finalen e Kupës së Botës 2018, ku fitoi medaljen e argjendtë, ndërsa në Katar 2022 u ngjit sërish në podium, duke siguruar vendin e tretë.

Megjithatë, Botërori 2026 rezultoi fatal për “Vatrenët”, të cilët u larguan shumë më herët nga sa pritej. Dorëheqja e Daliç është vetëm një nga pasojat që solli Kupa e Botës 2026.

Me turneun ende në zhvillim, presioni mbi trajnerët është rritur ndjeshëm dhe nuk përjashtohet që edhe kombëtare të tjera të ndryshojnë drejtim pas eliminimeve zhgënjyese.

Emra si Ronald Koeman nga Holanda apo edhe Julian Nagelsmann nga Gjermania i dhanë fund aventurës në nivel ndërkombëtar pas eliminimeve të bujshme.

Botërori po dëshmon edhe një herë se përveç fitoreve dhe emocioneve, ai mund të shënojë edhe fundin e epokave për disa nga emrat më të njohur të pankinave të futbollit botëror.

Klan News

/tvklan.al