Bizneset në vendin tonë kërkuan më shumë kredi gjatë 3 muajve të parë të këtij viti, sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë. Kjo u bë e ditur në raportin e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues, ku ndër të tjera rezulton se kërkesa e lartë për kredi u raportua në segmentin e biznesit të madh, për çdo lloj qëllimi përdorimi të kredisë.

Sipas Bankës Qendrore, rritja e kërkesës për kredi nga biznesi i madh u mbështet nga nevojat më të larta për financimin e investimeve dhe inventarëve të kapitalit qarkullues.

Nga ana tjetër, standardet e kreditimit për bizneset në vend mbetën thuajse të pandryshuara në 3-mujorin e parë të vitit 2026, pasi ato u raportuan të pandryshuara në kreditë për biznesin e madh dhe në kreditë për financimin e investimeve. Ndërsa tek segmenti i kredive për biznesin e vogël e të mesëm dhe në ato për mbulimin e nevojave për likuiditet, standardet u lehtësuan disi. Banka e Shqipërisë nënvizon se kërkesa për kredi e bizneseve pritet të rritet në 3-mujorin e dytë të vitit 2026, si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë.

Nëse për bizneset kushtet e kreditimit mbetën të njëjta në 3-mujorin e parë të këtij viti, kushtet dhe termat e përgjithshme për kreditë për individët u lehtësuan gjatë muajve janar-shkurt-mars, vetëm në segmentin e kredive konsumatore, ndërkohë që mbetën të pandryshuara në kreditë për blerjen e banesave. Lehtësimi i kushteve të kreditimit u shkaktua nga aplikimi i marzheve më të ulëta mbi kreditë normale, nga shtimi i madhësisë së kredisë dhe nga zgjatja e maturitetit në kreditë konsumatore.

Nga ana tjetër, shkalla e miratimit të kredive për individët u raportua në rënie në tremujorin e parë të 2026, sipas Bankës së Shqipërisë, e cila njëherësh nënvizon se në periudhën prill-maj-qershor, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë e lartë, si për financimin e konsumit, ashtu edhe për blerjen e banesave.

Klan News

/tvklan.al