Ekonomia shqiptare ka ruajtur ecuri pozitive gjatë periudhës 9-mujore të 2026, duke shfaqur si rritje të aktivitetit ekonomik, ashtu edhe përmirësim të treguesve të stabilitetit makroekonomik, ku turizmi ka një rol të rëndësishëm sipas Bankës së Shqipërisë.

“Rritja e investimeve është mbështetur kryesisht nga normat e ulëta të interesit dhe nga rritja e kredisë veçanërisht në lek dhe për qëllime të investimit për bizneset. Kemi patur një kontribut pozitiv edhe nga eksportet si shërbimet e turizmit por edhe nga mallrat”, tha Zv.drejtorja e departamentit të politikës monetare në BSH, Rajna Hoxholli.

Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë nënvizon se po mban nën monitorim edhe zhvillimet e brendshme sociale të cilat mund të kenë impakt në ekonominë e vendit.

“Tensionet sociale mund të shoqërohen me rritje të pasigurisë, e cila mund të ndikojë në frenimin e konsumit, të investimeve apo dhe aktivitetit turistik. Pritet për tu parë edhe ndikimi neto i Paketës Fiskale”, tha Hoxholli.

Banka Qëndrore thekson se politika monetare ka ndihmuar në kontrollin e inflacionit dhe në ruajtjen e kushteve të favorshme të financimit, duke mbështetur aktivitetin ekonomik pa cënuar stabilitetin e çmimeve.

/tvklan.al