Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon 18 miliardë lekë për bujqësinë, shifër kjo 10% më e lartë se viti i kaluar.
Pjesa më e madhe e financimit shkon për Zhvillimin Rural dhe Skemën Kombëtare, teksa qeveria zotohet të dyfishojë rimbursimin e TVSH-së dhe të lehtësojë fermerët nga taksa e qarkullimit të naftës.
“Në skemën kombëtare edhe në vitin 2025 janë disbursuar 6.3 miliardë lekë. Vitin tjetër dyfishojmë mbështetjen me 10% rimbursim të TVSH-së përmes autofaturës. Me Bankën Botërore po ndërtojmë 7 laboratorë në shkallë kombëtare dhe në janar ndërtojmë 4 të tjerë. Jemi në fazën përfundimtare për IPARD-in dhe presim përgjigje nga Komisioni Evropian për hapjen e IPARD 3. Sa i përket përmbytjeve, jemi në përfundim të ligjit për sigurimin në bujqësi me asistencë gjermane sipas modelit turk, i cili në vitin 2027 do të jetë pranë fermerëve”, tha Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.
Por prezantimi në Komisionin e Ekonomisë solli përplasje me opozitën. Deputetët ngritën alarmin për rënien e vazhdueshme të blegtorisë, importin e 2 mijë tonëve qumësht pluhur, mos thithjen e fondeve evropiane dhe mungesën e një fondi të posaçëm për dëmet nga përmbytjet.
“Ministria më në hall me buxhet 0.02% rritje, kërkohen investime duhet të kërkonit fonde shtesë, nuk po përthithni dot prej 5 vitesh para nga BE, nuk keni laborator për ullirin, hoqët naftën pa akcizë e zëvendësuat me 10 mijë lekë për toka mbi 3 ha”, thanë deputetët e PD, Cara dhe Bozdo.
“Sa i përket shqetësimeve të ngritura për produktivitetin, rënien e blegtorisë dhe sigurinë e produkteve, përmes kontratës me Bankën Botërore prej 72 milionë eurosh po ndërhyjmë drejtpërdrejt në disa bashki të vendit. Po investojmë me përparësi në sektorin e agropërpunimit dhe në linjat e paketimit të produkteve bujqësore, me qëllim krijimin e vlerës së shtuar, rritjen e punësimit dhe garantimin e konkurrueshmërisë së prodhimit tonë vendas në treg”, tha Salla.
Me miratimin e këtij buxheti, Ministria e Bujqësisë synon t’i japë një impuls të ri sektorit përmes investimeve të reja, ndërkohë që zbatimi i masave të paralajmëruara pritet të jetë në qendër të vëmendjes gjatë vitit të ardhshëm.
/tvklan.al












Botërori 2026 