10 nëntor 2026– Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar takimin e parë me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.

Ajo theksoi se cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme sa edhe koha e realizimit të saj, duke nënvizuar se procesi duhet të prodhojë rezultate konkrete.

Sipas ambasadores, reforma zgjedhore është thelbësore për forcimin e besimit të publikut, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve.

Ajo e cilësoi gjithashtu këtë proces si pjesë të rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Diplomatja rikujtoi se rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë prej kohësh të qarta, ndërsa puna e përbashkët e zhvilluar deri më tani duhet të përkthehet në hapa konkretë.

Më tej, ambasadorja e Bashkimit Evropian shprehet se arritja e objektivave të reformës është e mundur përmes vullnetit politik dhe një dialogu të sinqertë mes të gjitha palëve.

“Cilësia e reformës zgjedhore është po aq e rëndësishme sa edhe koha kur ajo realizohet. Zhvillova takimin tim të parë me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.

Diskutuam për afatin shumë të ngushtë kohor brenda të cilit duhet të punojë Komisioni, si dhe për çështje që lidhen me fushëveprimin, prioritetet dhe gjithëpërfshirjen e reformës.

Reforma zgjedhore ka të bëjë me besimin e publikut, konkurrencën e ndershme dhe integritetin e zgjedhjeve. Ajo është gjithashtu pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së. Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it kanë qenë prej kohësh të qarta dhe puna e përbashkët e kryer deri më tani duhet të japë rezultate konkrete.

Me vullnet politik dhe dialog të sinqertë nga të gjitha palët, kjo është e arritshme”, thekson ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa.

/tvklan.al