Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër projektbuxhetin, duke e cilësuar si një propagandë të qeverisë dhe duke kundërshtuar pretendimin se ai arrin në 10 miliardë euro. Sipas Berishës, nëse llogaritet me kursin e këmbimit të vitit 2013, buxheti real është rreth 5.5 miliardë euro, nga 4 miliardë euro që ishte në fund të qeverisjes së mëparshme.
Ai pretendon se shpërndarja e fondeve është e padrejtë, pasi pensionistëve, pavarësisht se janë rreth 760 mijë qytetarë, u është lënë vetëm 1 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose rreth 300-350 milionë euro.
Berisha kërkoi dyfishimin e menjëhershëm të fondit për pensionistët, duke e çuar atë në 700 milionë euro, si dhe vendosjen e një pensioni minimal prej 200 eurosh. Sipas tij, fondet për këtë rritje mund të sigurohen përmes përgjysmimit të shpenzimeve operative të administratës, të cilat ai i vlerësoi në rreth 930 milionë euro.
Kreu i PD-së akuzoi qeverinë për shpërdorim të parave publike për automjete, udhëtime, qëndrime në hotele dhe shpenzime të tjera administrative, ndërsa pretendoi se këto shpenzime mund të reduktohen pa cenuar funksionimin e administratës.
Një tjetër kërkesë e Berishës lidhet me rritjen e pagave, ku propozoi një rritje me 50 për qind për pagat e ulëta dhe 30 për qind për pagat e mesme, ndërsa kërkoi që pagat e larta të mos pësojnë asnjë ndryshim. Ai argumentoi se një ndërhyrje e tillë është e përballueshme, duke iu referuar fondit të përgjithshëm të pagave dhe 2.2 miliardë eurove të parashikuara për tendera dhe prokurime.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se po lë në harresë pensionistët dhe qytetarët me të ardhura të ulëta, ndërsa fondet publike për investime dhe kontrata, sipas tij, nuk administrohen në mënyrë transparente.
Në përfundim, kreu i demokratëve e cilësoi shpërndarjen e buxhetit si një padrejtësi ndaj shtresave më të varfra dhe kërkoi rishikimin e prioriteteve financiare të qeverisë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
