Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për bashkimin e të gjitha forcave politike që janë kundër qeverisë së Edi Ramës.

Gjatë një takimi në Berat, Berisha tha se në këtë moment duhet të lihen mënjanë interesat partiake dhe të bashkohen të gjithë për atë që ai e cilësoi si shpëtimin e vendit nga regjimi aktual.

Ai theksoi se është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë, pa përjashtim, edhe me ata që kanë qëndrime kundër PD-së.

“Të gjithë ata që e konsiderojnë narkoregjimin të keqen më të madhe të kombit tonë, unë i ftoj: bëhuni liderë, ngrihuni, mos mendoni se humbisni vota po të afroheni me PD-në. Por edhe sikur të humbisni vota, në emër të interesit kombëtar duhet ta pranoni.

Po ne jemi patriotë, ne vërtet e duam PD-në, por e duam Shqipërinë pakrahasimisht më shumë. Dhe po të shihnim ne se Shqipëria po shpëton prej këtij regjimi, ne do duartrokisnim. Ne shkuam dhe u futëm të gjithë në atë lëvizje, me mijëra e mijëra demokratë për suksesin e saj.

Ndaj dhe sot është koha e bashkimit para këtij rreziku të madh ekzistencial. Më pyesin mua, po si thua ti, edhe me Qorin do bashkohemi? Po, po me të gjithë, asnjë nuk përjashtoj unë në këtë bashkim.

Jo. Dhe nuk të them ndrysho platformën tënde politike, jo, mbaje zotëri. E ke kundër PD, mbaje kundër PD, por hajde njëherë të heqim këtë të keqe, ta kërrejmë këtë të keqe të madhe”, tha Berisha.

Berisha kërkoi gjithashtu zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa akuzoi Ramën se ka përdorur aktivitete dhe para për të ndikuar te vota e qytetarëve.

“Dhe çfarë? Të votojmë të lirë. Të votojmë jo duke përdorur qindra e qindra milionë euro në aktivitete për të ndikuar votën e qytetarëve.

4530 aktivitetet të kundërligjshme, thonë raportet ndërkombëtare, organizoi Edi Rama për të ndikuar qytetarët në votë, gjer tek Giro D’Italia ditën e votimit 7 milionë euro, në mënyrë që qytetarët të thonë ja e ka edhe këtë me vete”, shtoi kryedemokrati.

/tvklan.al