Në tryezën mbi parandalimin dhe adresimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore në proceset zgjedhore, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi kërkoi që kodi i ri elektoral të sanksionojë qartë parimin e ndarjes së shtetit nga partia në pushtet.

Bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri nënvizoi rëndësinë e miratimit të paketës së re ligjore brenda muajit nëntor, kur përfundon edhe afati i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.

“Të dëgjojmë ekspertizën ndërkombëtare, t’i lëmë debatet e zakonshme. Të reflektojmë mbi atë që do të thonë sa u përket praktikave më të mira dhe pastaj natyrshëm në Komisionin e Reformës Zgjedhore do të kemi mundësinë që të shohim alternativat më të mira. Të vijmë me një paketë ligjore brenda këtij viti, sepse e kemi vendosur për të shtyrë afatin deri në nëntor”.

Bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi theksoi se përdorimi i burimeve shtetërore në favor të partisë në pushtet prish barazinë në garë.

“Asnjë sistem zgjedhor nuk përballon dot shtetin kur futet në krah të njërit prej garuesve dhe shpartallon çdo lloj standardi zgjedhor. Nëse nuk do të ketë një zgjidhje dhe ajo zgjidhje të jetë efikase dhe funksionale, ky komision i reformës nuk do të përmbushë një nga çështjet kryesore që ka dhe Shqipëria nuk do të ketë zgjedhje”.

Në tryezë morën pjesë edhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe OSBE-ODIHR, të cilët i cilësuan zgjedhjet si garantues të vullnetit të qytetarëve, ndërsa bënë thirrje për më shumë vëmendje nga aktorët politikë.

Klan News

/tvklan.al