Trajneri i Interit, Cristian Chivu, mori çmimin prestigjioz “Pankina e Artë 2026” në edicionin e 35-të të këtij trofeu, të akorduar nga kolegët e tij trajnerë.
Me 16 vota nga 43 gjithsej, rumuni u rendit i pari, përpara Cesc Fabregas të Como-s, me 12 vota, dhe Gian Piero Gasperinit të Romës, me 9.
Një vlerësim që vjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm, në të cilin Chivu, në vitin e tij të parë në drejtimin e skuadrës së parë të Interit, fitoi titullin kampion dhe Kupën e Italisë.
Një rrugëtim që nisi në vitin 2018, në sektorin e të rinjve të Interit. Pas suksesit me Primavera-n në vitin 2022 dhe eksperiencës te Parma, ku siguroi mbijetesën në Serinë A, në qershor 2025 iu besua drejtimi i skuadrës zikaltër. Pas marrjes së çmimit, trajneri nuk i fshehu emocionet,
“Ky çmim është gjithmonë i veçantë, sidomos sepse vjen nga vlerësimi i kolegëve. Falënderoj sektorin teknik, trajnerët, klubin, stafin tim dhe lojtarët, të cilët i kthejnë gjithmonë idetë tona në rezultate”, tha Chivu.
Sa i përket garës për titullin kampion, tekniku zikaltër shmangu etiketën e favoritit absolut për Interin, duke theksuar se skuadra duhet të përqendrohet te vetja dhe të tregojë vlerat e saj në fushë.
“Është shumë e lehtë ta konsiderosh Interin si favorit absolut, që duhet të fitojë me çdo kusht. Por Interi duhet të vazhdojë të bëjë atë që ka bërë gjatë viteve të fundit, duke ruajtur rezultatet dhe vazhdimësinë e treguar në Itali dhe në Europë. Megjithatë, duhet ta dëshmojmë vlerën tonë në fushë. Nuk kam frikë nga askush, kjo nuk është pjesë e mentalitetit tim. Duhet të përqendrohemi te vetja dhe të jemi konkurrues ndeshje pas ndeshjeje, duke e ditur se askush nuk të dhuron asgjë”, tha Chivu.
Ndërkohë, Interi përgatitet për transfertën ndaj Atalantës, më 22 nëntor, me objektivin për të marrë tre pikët dhe për të synuar kreun e renditjes.
Zikaltrit kërkojnë të vazhdojnë garën për titullin, në një kampionat ku diferencat në krye mbeten të ngushta.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
