Lajmi për ngritjen e Bordit të Transparencës duket se ka frenuar rritjen e çmimit të karburanteve në pikat e tregtimit me pakicë në vend. Nga një vëzhgim i kryer këtë të premte, një pjesë e karburanteve kanë ruajtur çmimin me 214 lekë për litër të një dite më parë, ndërsa disa të tjera e kanë çuar atë në 217 lekë.
Edhe të dhënat e importit konfirmojnë luhatjen e fortë të çmimit të karburanteve brenda pak ditësh. Çmimi për ton ka kaluar nga 1076 dollarë më 6 mars, në 1206 dollarë më 12 mars, me lëvizje të ndjeshme pothuajse ditë pas dite. Kjo paqëndrueshmëri është transferuar drejtpërdrejt në tregun vendas.
Në tregjet globale, nafta vijon të qëndrojë në nivele të larta. Referenca ndërkombëtare Brent crude oil është rritur në mbi 110 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate po luhatet pranë 96 dollarëve.
Sipas raportimeve në mediat ndërkombëtare, rritja lidhet me pasiguritë në furnizim dhe tensionet në Lindjen e Mesme, faktorë që vazhdojnë të mbajnë tregjet nën presion. Ekspertët e tregut vlerësojnë se, për sa kohë çmimet ndërkombëtare mbeten të paqëndrueshme, edhe tregu vendas do të reflektojë rritje të shpejta dhe të menjëhershme.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 