Nafta e papërpunuar kapërceu për të parën herë që pas nisjes së luftës ruse në Ukrainë 100 dollarë për fuçi. Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se kjo është e përkohshme, por është edhe një çmim që bota duhet të paguajë për të zhdukur kërcënimin bërthamor iranian.

Çmimi i naftës së papërpunuar në bursat ndërkombëtare kapërceu këtë fillimjave 100 dollarë për fuçi. Në dy prej bursave të referencës, atë të Teksasit dhe Londrës, çmimi i shitjes së naftës së papërpunuar arriti këtë të hënë përkatësisht mbi 101 dhe mbi 104 dollarë për fuçi për kontratat e muajit prill.

Sulmi izraelito-amerikan ndaj Iranit bëri që çmimi i naftës së papërpunuar të prekë sërish nivelet e vitit 2022, kur rritja u ndikua nga nisja e sulmit rus ndaj Ukrainës dhe sanksionet perëndimore për shitjen e naftës ruse. Çmimet atëherë kapën majat, deri mbi 120 dollarë për fuçi.

Presidenti amerikan, Donald Trump, përmes rrjetit privat social Truth, e konsideroi rritjen e çmimeve “një çmim që SHBA dhe bota duhet të paguajnë që kërcënimi bërthamor i Iranit të zhduket”.

“Çmimet afatshkurtra të naftës, të cilat do të bien shpejt sapo të mbarojë kërcënimi bërthamor i Iranit, janë një çmim shumë i vogël për t’u paguar për SHBA-në, për botën, për sigurinë dhe paqen. Vetëm budallenjtë do të mendonin ndryshe!”, tha Trump.

Pas 10 ditësh sulmesh, çmimi i naftës së papërpunuar ka pësuar rritje drastike me mbi 25%, kryesisht pas kërcënimeve të Iranit për të goditur anijet e transportit të naftës që kalojnë në ngushticën e Hormuzit, prej nga del në treg 1/5-ta e naftës globale.

Sipas analistëve, sa më tepër të zgjasë konflikti dhe kërcënimi i Teheranit në ngushticën e Hormuzit, aq më shumë do të rritet çmimi i naftës, pasi shumë vende prodhuese të Lindjes së Mesme kanë reduktuar prodhimin ditor me 5–10 milionë fuçi nafte, për shkak të vështirësive në eksport.

Tv Klan

/tvklan.al